Dëmtimet janë kthyer në një problem të vazhdueshëm për Vllazninë në këtë sezon. Në asnjë moment, skuadra nuk ka qenë e plotë dhe trajneri Thomas Brdariç ka qenë i detyruar që të ndryshojë ndeshje pas ndeshje rreshtimin dhe formacionin e ekipit të tij prej mungesave të shumta që ka patur. Edhe në duelin e fundit ndaj Skënderbeut, Vllaznisë i munguan dy qendërmbrojtësit Stojanoviç dhe Juriç për shkak të problemeve muskulore. Ndërkohë, për sfidën ndaj Egnatias, Stojanoviç pritet të jetë i gatshëm, ndërsa Juriç është akoma në dyshim, pasi ka munguar në stërvitje dy ditët e fundit.

Kështu, Brdariç është i detyruar të rindërtojë edhe njëherë tjetër mbrojtjen që ka shfaqur jo pak probleme në këtë sezon, siç e tregon edhe fakti që ka pësuar 15-gola në 12-ndeshjet e luajtura deri tani. Në rast se, Juriç nuk do të rikuperohet për ndeshjen ndaj Egnatias, dyshja e qendrës së mbrojtjes pritet të përbëhet nga Stojanoviç dhe Bajrami. Ndërkohë, në mëdyshje është edhe Kahrimanoviç, teksa ai është stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër e grupit të futbollistëve, për shkak se mesfushori ka patur disa shqetësime fizike dhe është në dyshim për ndeshjen ndaj Egnatias.

Edhe Qato ka shfaqur probleme, por gjasat janë që ai të jetë i gatshëm për duelin e së shtunës. Nga ana tjetër, një lajm pozitiv është rikthimi i Ardit Deliut në stërvitje së bashku me pjesën tjetër të grupit. Mesfushori, i ardhur në merkaton e verës, ka munguar prej disa kohësh për Vllazninë, si pasojë e thyerjes së një prej gishtave të këmbës, teksa tashmë duket se e ka lënë pas atë problem dhe i është bashkuar grupit kuqeblu në seancat stërvitore. Ndërkohë, pjesa tjetër e futbollistëve është e plotë, përjashto sulmuesin Matouti, i cili mungon prej disa ndeshjesh për kuqeblutë. Megjithatë, pavarësisht këtyre mungesave, duket se skuadra e Vllaznisë dhe trajneri Brdariç do të synojnë trepikëshin në Rrogozhinë ndaj Egnatias, për të vijuar me ecurinë pozitive në këtë edicion futbollistik.

Artikulli paraprak“ÇARDAKU POETIK” BASHKON TË RINJTË
Artikulli tjetërVOLEJ FEMRA, ZHIVANI: FITOJMË ME POGRADECIN