Në Mynih të Gjermanisë janë rritur masat e sigurisë për Oktoberfest, siç njihet ndryshe festa e birrës.
Lajmin e bën të ditur agjencia “DPA”, sipas të cilës masat e marra nga autoritetet parashikojnë kufizimin e çantave të mëdha, kontrolle dhe bastisje në rast rreziku. Autoritetet kanë deklaruar se nuk kanë të dhëna për një rrezik konkret, por gjithësesi masat do të kufizojnë lirinë e lëvizjes që ka karakterizuar festën e birrës, që këtë vit do të mbahet nga 16 shtator deri më 3 tetor. Ndërkohë, më herët gjatë ditës një shtetas gjerman 27-vjeçar u arrestua nën dyshimin se po përgatiste një atentat me eksploziv. Një zëdhënës i policisë së Frankfurtit deklaroi se, arrestimi u krye pas të dhënave se personi në banesën e tij mbante material shpërthyes. Por pas kontrolleve ka rezultuar se në shtëpinë e 27-vjeçarit kishte material propagande dhe flamuj të Shtetit Islamik, si dhe një sasi e vogël fishekzjarresh, por jo bombë. Agjencia e lajmeve “DPA”, që citon burime policore, raporton se edhe materialet e gjetura nuk mjaftojnë që i riu të akuzohet në kuadrin e sfondit islamik. Veç kësaj, të njëjtat burime e cilësuan të arrestuarin si person me probleme mendore.