Gjermani, Steinmeier bëhet President

Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u zgjodh Presidenti i ri i vendit nga Asambleja Federale. Socialdemokrati 61-vjeçar është një nga politikanët më popullorë në Gjermani dhe pason në këtë detyrë Joachim Gauck. Posti i Presidentit gjerman është kryesisht ceremonial, por ai përfaqëson Gjermaninë jashtë vendit dhe mban peshë të madhe morale. Steinmeier mori 932 vota nga 1260 të mundshmet në Asamblenë Federale, duke fituar me mjaft lehtësi. Asambleja përbëhet nga ligjvënës dhe përfaqësues nga fusha të ndryshme shoqërore, që delegohen nga 16 landet gjermane për të votuar për Presidentin. Mes tyre përfshihet trajneri i kombëtares gjermane, Joachim Low dhe Olivia Jones, një transvestit i famshëm në Gjermani, që u dërgua si delegat nga Partia e Gjelbër në landin e Saksonisë së Ulët. Steinmeier e nis detyrën e tij të re më 19 mars dhe zgjedhja e tij konsiderohet si një nxitje për socialdemokratët që duan të largojnë Angela Merkel nga posti i kryeministres në zgjedhjet e shtatorit. Kristiandemokratët e Merkelit nuk dolën dot me një kandidat nga radhët e tyre dhe ranë dakord që të mbështesin Steinmeier për President.

Artikulli paraprakAZILKËRKUESJA SHQIPTARE PËRDHUNOHET NGA KUJDESTARI I KAMPIT
Artikulli tjetërKISHAT, TË RREZIKUARA,MUNGOJNE RESTAURIMET