Në Berlin është nënshkruar sot Protokolli i Bashkëpunimit me Gjermaninë për vitet 2024-2026, me në fokus zhvillimin e sektorëve prioritarë të qeverisë shqiptare. Në bazë të këtij protokolli parashikohet një mbështetje financiare për qeverinë shqiptare në vlerën prej 93.39 milionë euro (nga këto 33.39 milionë € grante, 60 milionë € kredi me interes të ulët), ose rreth 22% më shumë krahasuar me mbështetjen financiare të ofruar gjatë periudhës 2022-2024. Mbështetja financiare do të jetë për energjinë dhe infrastrukturën, turizmin, arsimin profesional, bujqësinë, si dhe mbështetjen teknike në procesin e përafrimit të legjislacionit në kuadër të procesit të Integrimit Europian. Ambasada gjermane në Tiranë përmes një njoftimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar planin e përbashkët në fushën e bashkëpunimit ekonomik, si “një tjetër gur kilometrik në bashkëpunimin tonë 36-vjeçar gjermano-shqiptar”.

“Pas 2,5 ditësh bisedimesh dhe negociatash intensive, drejtuesit e delegacioneve, përbërë secila prej rreth 10 anëtarësh, nënshkruan sot një plan të përbashkët pune për vitet 2025/2026 në fushën e bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane.

Ndër të tjera në postimin në rrjetet sociale, Ambasada gjermane shton se në këto kohë të vështira dhe me buxhete të kufizuara, Gjermania ka rritur mbështetjen e saj për Shqipërinë në krahasim me vitet e shkuara. Sipas Ambasadës gjermane, me këtë duan të japin një mesazh të qartë, se “vlerësojmë përparimet në reforma të vendit dhe i qëndrojmë në krah partnerëve tanë me vlerë në procesin e anëtarësimit në BE”.

“Angazhime të reja financiare prej 93.39 milionë € (nga këto 33.39 milionë € grante, 60 milionë € kredi me interes të ulët) për një gamë të gjerë temash nga Energjia dhe Klima, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe arsimi profesional flasin qartë: Në këto kohë të vështira me buxhete të kufizuara dhe kriza globale, Gjermania madje rrit mbështetjen e saj për Shqipërinë në krahasim me vitet e shkuara! Me këtë duam të japim një mesazh të qartë:

Ne vlerësojmë përparimet në reforma të vendit dhe i qëndrojmë në krah partnerëve tanë me vlerë në procesin e anëtarësimit në BE”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane, duke shprehur falenderime për punën konstruktive delegacionin shqiptar, nën drejtimin e Eridana Çanos, drejtoreshë e SASPAC. Drejtoresha e përgjithshme e SASPAC, Eridana Çano shoqërohej edhe nga drejtori i përgjithshëm i Industrisë dhe Energjisë në MIE, Besjan Kadiu. Kadiu thekson në një postim në rrjetet sociale se “pas dy ditësh negociatash intensive, jam i lumtur të njoftoj që u nënshkrua zyrtarisht protokolli me qeverinë gjermane. Arritjet kryesore: Siguruam financimin për rehabilitimin e HEC Fierza dhe digjitalizimin e nënstacioneve në rrjetin e transmetimit (EUR 60 milionë kredi, EUR 2 milionë grant). Mbështetje me grant për transportin e qëndrueshëm (EUR 1 milion); Mbështetje me grant për eficiencën e energjisë në godina publike (EUR 20.39 milionë); Angazhim i fortë për të mbështetur më tej rehabilitimin e HEC Vau i Dejës”. Gjithashtu, ai bën me dije se diskutuan mbi progresin e projekteve aktuale në transmetim, shpërndarje dhe eficencë energjetike.

“Hapa të mëdhenj përpara për një të ardhme më të qëndrueshme dhe moderne të sektorit të energjisë”, deklaroi Kadiu.

Artikulli paraprakStar Marketing – Arti i kuzhines
Artikulli tjetërKJO ËSHTË NJË DITË POZITIVE PËR JU, HOROSKOPI PËR SOT