
Gjermania pritet të formojë një qeveri të re koalicioni të përbërë nga tre parti: Unioni Kristian-Demokrat (CDU), Partia Socialdemokrate (SPD) dhe Unioni Kristian-Social (CSU). Marrëveshja për bashkëqeverisje u prezantua në Berlin nga drejtuesit e partive, ku kryetari i CDU-së dhe kancelari i ardhshëm i mundshëm, Friedrich Merz, e cilësoi atë si një sinjal të qartë për Europën dhe si një garanci se “Europa mund të mbështetet te Gjermania”.
Në fokus të marrëveshjes është ringjallja ekonomike dhe sociale e vendit, përballë një recesioni që ka hyrë në vitin e tretë. Me këtë qëllim, parlamenti gjerman kishte miratuar më herët një paketë financiare me qindra miliona euro, ndërsa koalicioni i ri planifikon masa shtesë si ulje të taksave për bizneset, reduktim të tatimeve mbi energjinë dhe përjashtim nga tatimi për orët shtesë të punës. Një tjetër bosht i rëndësishëm i marrëveshjes është politika e emigracionit, ku është paralajmëruar një ashpërsim i dukshëm. Merz njoftoi masa të reja që përfshijnë kontrolle dhe kthime në kufi, ndërprerjen e programeve të pranimit vullnetar – si ato për refugjatët afganë – dhe pezullimin e bashkimit familjar për refugjatët e luftës.
Sipas marrëveshjes, ukrainasit që mbërrijnë në Gjermani nuk do të përfitojnë automatikisht ndihma sociale, ndërsa ligji për shtetësinë do të ndryshojë, duke hequr mundësinë e përfitimit të saj pas vetëm tre vitesh qëndrimi. Koalicioni synon gjithashtu të përgjysmojë numrin e punëtorëve të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor, nga 50 mijë në 25 mijë në vit. Si shenjë e këtij qëndrimi më të fortë, Ministria e Brendshme do t’i kalojë CSU-së bavareze. Megjithatë, Merz konfirmoi se Procesi i Berlinit do të mbetet një platformë kyçe për ofrimin e një perspektive të qartë për anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.