Gjermania fond 6 mln euro për sipërmarrësit e rinj në Shqipëri

Rritet mbështetja e Gjermanisë ndaj qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rajonal dhe punësimin, si dhe për të sjellë më shumë shqiptarë pranë punës. Krahas projekteve ekzistuese Qeveria Federale ka vënë në dispozicion edhe një fond tjetër prej gjashtë milionë eurosh. Ambasadorja gjermane Susanne Schütz e njoftoi këtë mbështetje shtesë së bashku me Zv.Kryeministrin shqiptar Niko Peleshi. “Për Qeverinë Federale është e rëndësishme të krijohen perspektiva të zhvillimit profesional, vecanërisht për të rinjtë“, u shpreh Ambasadorja Schütz. Me këto fonde shtesë do të financohen ndër të tjera projekte trajnimi dhe kualifikimi pranë shkollës profesionale të Kamzës si dhe trajnime për aplikime të ndryshme, oferta konsulence profesionale dhe praktika pranë sipërmarrjeve private. Veç kësaj synohet të mbështeten sipërmarrës të rinj, të cilët zhvillojnë ide inovative biznesi. “Tashme, janë miratuar nga Qeveria dhe ratifikuar në Parlament edhe 13 marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit me Gjermaninë duke aktivizuar 31 Milionë Euro Grant dhe 37 Milionë Euro Kredi” – u shpreh Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi. Gjermania angazhohet në mënyra të shumta për të krijuar bashkarisht me qeverinë shqiptare perspektiva për të ardhmen në vend. Që prej një gjysmë viti ekziston zyra gjermane e informimit rreth çështjeve të migrimit, formimit profesional dhe karrierës (DIMAK), e cila mbështet personat në kërkim të një vendi pune për të patur akses në tregun shqiptar të punës, sikurse edhe informon rreth mundësive të ligjshme të emigrimit drejt Gjermanisë. DIMAK do të marrë edhe 600.000 euro për të zgjeruar veprimtarinë e vet dhe për ta ofruar atë edhe jashtë Tiranës. Gjermania është donatori më i madh bilateral për Shqipërinë për sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe në vitet 2017 e 2018 do ta mbështesë atë me gjithsej 100 milionë euro.

Artikulli paraprakMETA LETËR PRESIDENTIT TË PE: EJANI TË NA MONITORONI ZGJEDHJET
Artikulli tjetërMAKINA DEL NGA RRUGA, PESË TË PLAGOSUR