MIJËRA TIFOZË JANË MBLEDHUR NË BËRLIN PËR KAMPIONËT E BOTËS .
Mijëra gjermanë u mblodhën në Berlin për t’i uruar mirëseardhjen heronjve të tyre që kthehen nga Brazili me Kupën e Botës. Fluturimi që solli 23 futbollistët e kombëtares gjermane dhe gjithë stafin teknik të saj u ul në Berlin në mëngjesin e së martës. Ky është akti i parë i një ditë të ngjeshur me aktivitete të shumta që do të kulmojnë me ceremoninë kryesore në Portën e Brandenburgut. Ekipi gjerman, bëri zbritje triumfale në aeroportin e Berlinit. Atmosfera është më shumë se festive dhe turma të mëdha njerëzish me fanelën me katër yje, aq sa edhe Kupat e Botës së fituara nga Gjermania, janë në pritje të parakalimit përmes qytetit me trofeun nëpër duar të skuadrës së tyre. Gjermania u shpall kampione e botës në finalen kundër Argjentinës në Maracana të Rio de Janeiro-s falë një goli të shënuar nga Mario Goetze në minutën e 113-të të takimit. Ky ishte titulli i katërt kampion për gjermanët dhe i pari pas 24 viteve. I fundit i fituar prej tyre ishte ai i vitit 1990, kur sërish 1-0 mposhtnin Argjentinën.