Një hetim për korrupsion i nisur kryesisht vetëm nga një përgjim telefonik ka përfunduar më prangosjen e një avokateje dhe pezullimin nga detyra të një prokurori në prokurorinë e Tiranës.
Avokatja Donata Lepenica është arrestuar mbrëmjen e djeshmë pas një urdhër-arresti të lëshuar nga prokurori i krimeve të rënda Dritan Prenci dhe të pranuar nga gjykata.
Gjithashtu është vendosur nën hetim edhe prokurori i Tiranës Përparim Hasa.
Në pranga kanë rëne edhe Yzeir Bala, 32 vjeç dhe Megi Naksi, 31 vjeçe, të dyshuar si të përfshirë ne korrupsion.
Hetimi ka nisur një javë me parë në bazë të informacioneve të marra nga prokuroria për një masë sigurie.
Bëhej fjalë për një të akuzuar për prodhim dhe shitje të lëndës narkotike, të cilit i ishte kapur një sasi prej 3 gramësh.
Përkundrejt dhënies së një shume prej 2 mijë eurosh, është kërkuar marrja e një mase detyrim paraqitje.
Prej 4 ditësh, Krimet e Rënda kanë bllokuar serverin e kamerave të sigurisë së Prokurorisë së Tiranës, veprim ky i ndërmarrë për herë të parë në historinë e akuzës.
Pamjet filmike kanë fiksuar momentin kur avokatja futet në zyrën e Hasës.
Ndërsa nga përgjimet telefonike zbulohet se avokatja i drejtohet të pandehurit që ajo mbron se, “gjithçka e kam zgjidhur me prokurorin”.
Biseda me të akuzuarin është bërë pak çaste pas takimit të saj me prokurorin e Tiranës, në zyrën e këtij të fundit.
Vetë Hasa e ka mohuar akuzën dhe madje ka mohuar se i është afruar para nga ana e avokatës.
Ditën e premte avokatja dhe dy të arrestuarit do të njihen me masën e sigurisë.
Vetem per vitin e kaluar janë proceduar penalisht per veprën penale te korrupsionit 6 gjyqtare dhe prokurorë.