Nuk e kishte imagjinuar kurrë se nga datë 19 tetor e vitit 2017 do të fillonte periudha më e vështirë dhe sfida më e madhe e karrierës.
Trajneri Ernest Gjoka e ka të shënjuar këtë datë, pasi është dita kur u zyrtarizua në stolin e Vllaznisë.
Nga kampion Shqipërie me Kukësin merrte detyrën e vështirë të shpëtimit të ekipit më të vjetër shqiptar nga Kategoria.
Në një moment kur Armando Cungu nuk mund të vazhdonte më, për shkak të problemeve dhe presioneve të vazhdueshme, pa harruar faktin se rreziku i “damkës” së rënies mund të të shoqërojë gjithë jetën dhe mund të njollosë karrierën si trajner.
Gjoka u përball direkt me vështirësitë e para që në momentin që mori drejtimin e skuadrës, e përveç rezultateve gjendja kulmoi me sulmin kundrejt tij.
Ai në një prononcim flet për dënimin e autorëve të ngjarjes dhe se sa do t’i dënonte nëse do ta kishte ai në dorë.
“Unë nuk kam ndonjë problem dhe nuk kam patur me ndonjë njeri në Shkodër. Po bëj punën e trajnerit. Kush më sulmoi të mbajë turpin mbrapa.
Këtë djalin që më sulmoi e faltë Zoti për mua, pasi është një viktimë dhe mua më vjen keq për të”, – numri një i stolit e pranon hapur se sulmi kundrejt tij ishte i inskenuar dhe mendon se ka një prapavijë.
Numri një i stolit shkodran nuk nguron të përgjigjet për aleancat e mundshme të kampionatit që mund të lidhen dhe në dëm të Vllaznisë.
“Aleancat? Pyetje e vështirë. Shpresoj dhe uroj që gara të jetë sa më e fortë dhe e bukur, por duhet të jetë e pastër”, – përfundon ai