PËR VITE MË RADHË MJEKU NË FJALË PUNOI ME PROFESIONALIZËM. Akuzat dhe ndalimi nga policia i mjekut psikiatër Gjon Preçi ka krijuar jo pak çudi në opinionin publik. “Star Plus” lidhur me atë ngjarje ka arritur të mësojë së mjeku psikiatër nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka tentuar të respektojë procedurën ligjore për dhënien e fletës së kempit për pacientin nga Kukësi. Kjo gjë e ka irrituar pacientin dhe personat që po e shoqëronin duke arritur deri aty sa ta godasin mjekun Preçi.
Por në fakt cili është profili që ka krijuar mjeku në fjalë. Prej shumë vitesh ushtron profesionin e mjekut psikiatër në poliklinikën e specialiteteve në qytetin e Shkodrës. Për vite me radhë mjeku Gjon Preçi i ka shërbyer mijëra pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmën e tij. Mjeku i ndaluar nga policia njihet në publik për humanizmin që e karakterizon gjatë ushtrimit të detyrës. Po ashtu ka një komunikim për t’u admiruar që zakonisht nuk është prezent në çdo institucion publik në Shkodër. Prej shumë kohësh edhe si profesionist në fushën e psikiatrisë ka një rol të konsiderueshëm duke kontribuar jo pak në zhvillim e kësaj pjesë mjaft delikate. Vetëm para pak ditësh në 5 vjetorin e krijimit të qendrës komunitare të psikiatrisë thuajse e ndërtuar nga fillimi e deri në ditët e sotme nga mjeku Gjon Preçi u fol për suksese jo të vogla nga ku në 5 vite janë trajtuar mbi 20 mijë pacientë nga Qarku i Shkodrës, çka tregon punën voluminoze. Po ashtu mjeku Preçi ka ushtruar aktivitetin e tij edhe me klinika private duke qenë kështu i suksesshëm jo vetëm në Shkodër por edhe më gjerë. Pavarësisht profilit të pasur të Gjon Preçit, ajo që do vendosë është Gjykata e Shkodrës pas hetimeve edhe të Prokurorisë mbi ngjarjen e ndodhur.