Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ndodhet për një vizitë dy ditore në Bruksel, në fokus të së cilës janë takimi i radhës i Dialogut të Nivelit të Lartë, reforma në drejtësi dhe ecuria e 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Europian.

Gjatë kësaj vizite Ministrja zhvilloi një takim me Komisionerin për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn. Bashkëbiseduesit diskutuan mbi formatin e Takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë, ku shprehën dakordësinë që të ruhet i njëjti format me takimin paraardhës. Ky takim konsiderohet i një rëndësie të veçantë për përcjelljen e mesazheve të duhura mbi progresin që Shqipëria ka shënuar,si dhe për të krijuar një panoramë të qartë për të gjithë hapat që do të ndërmerren në vijim në mënyrë që Shqipëria të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave. Ministrja Gjosha u shpreh se qeveria ka avancuar me punën për 5 prioritetet. Gjosha: Bordi i Hapjes së negociatave i drejtuar nga Kryeministri po monitoron rigorozisht planin e masave të hartuar për 5 prioritetet. Ne jemi të angazhuar maksimalisht që të gjitha detyrat e lëna për institucionet shqiptare,të plotësohen brenda afateve. Bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e reformës në drejtësi për hapjen e negociatave. Komisioneri Hahn u shpreh se kjo reformë është thelbësore, ndërsa Ministrja Gjosha theksoi se po analizohen nga palët politike rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe pritet që në ditët në vijim të diskutohen e të reflektohen këto rekomandime. Ministrja Gjosha, u shpreh se qeveria është e vendosur për një reformë të thellë dhe konsensuale në sistemin e Drejtësisë, pasi kjo reformë i shërben para së gjithash qytetarëve shqiptarë. Gjosha zhvilloi një takim edhe me Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin pranë Komisionit Europian. Dannielson shprehu vlerësime për progresin që ka shënuar Shqipëria dhe garantoi mbështetje për të çuar përpara procesin e integrimit. Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e miratimit sa më të shpejtë të reformës në drejtësi,si një domosdoshmëri për qytetarët por edhe si një prej kushteve më thelbësore për të avancuar me procesin e integrimit. Ministrja Gjosha u shpreh se hapja e negociatave me Bashkimin Europian,pas kësaj reforme do të ishte shtysa më e mirë për të ecur përpara me procesin,por njëkohësisht edhe për të garantuar një monitorim më efektiv të Shqipërisë nga Komisioni Europian. Dannielson nënvizoi se bashkëpunimi mes palëve politike është shumë i rëndësishëm për avancimin me axhendën europiane.

Artikulli paraprakAKSIDENT I RËNDË NË SHKODËR, DREJTUESI I MOTORÇIKLETËS NË SPITAL
Artikulli tjetërDEMSHPERBLIMI I PERMBYTJEVE, RADOVANI: PROTESTA E DREJTE POR S’KA VKM