Vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviç ka detyruar delegacionin serb të ndërpres takimin e radhës me palën kosovare në Bruksel. Ndërsa, Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka deklaruar për mediat serbe se nuk do të ketë vazhdim të dialogut në Bruksel, derisa Serbia të marrë përgjigje për vrasjen e Ivanoviçit.
Gjithashtu, Gjuriç ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të qëndrojë në pjesën veriore të Mitrovicës, gjatë të shtunës dhe dielës. “Informacionet që i kemi marrë deri tani tregojnë për një organizatë të madhe të mirë organizuar”, ka shtuar Gjuriç. “Çdo minutë jemi duke pranuar informacione të reja, dhe çdo herë e më shumë jam i bindur se vrasësi nuk është nga vendi ynë dhe sigurisht nuk është as ndonjë serb nga Kosova.
Nuk po i lusim, por kërkojmë nga organet e sigurisë në Kosovë t’i gjejnë autorët dhe t’i vënë para drejtësisë”, ka shtuar ai.
Dje në mëngjes është qëlluar për vdekje Oliver Ivanoviq në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa raporti i autopsisë ka konstatuar se ai është qëlluar me 6 plumba. Gjithashtu, është bërë e ditur se revolja që është përdorur për vrasjen e tij është e tipit “Zastava” prodhim serb.