Gjykata e Shkallës së Parë e Beratit ka shpallur sot fajtore mjeken pediatre Shpresa Karkanjozi dhe e dënoi atë me 1-vit burgim, të konvertuar me 2-vjet “shërbim prove”.
Njëkohësisht Gjykata e pezulloi mjeken Karkanjozi të ushtrojë profesionin e mjekes pediatre për 2 vjet.
Mjekja Shpresa Karkanjozi akuzohej për “mjekim të pakujdesshëm”, që solli vdekjen e një fëmije 3-vjeçe në Repartin e Pediatrisë së Spitalit Rajonal Berat në 23 janar të vitit 2017 dhe çështja në ngarkim të saj kishte 8-muaj që gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Beratit.
Pas pretencës së kërkuar nga Prokurori Dritan Gripshi në 7 Nëntor për dënimin me 4-vite burgim për mjeken, gjykata dëgjoi sot edhe mbrojtjen e avokatit dhe vetë të pandehurës dhe pasi u tërhoq për disa minuta dha edhe vendimin.
Gjyqtari Agron Vavla vendosi, “shpalljen fajtore të mjekes Shpresa Karkanjozi për veprën penale ‘mjekim i pakujdesshëm’,parashikuar nga Neni 96 i Kodit Penal; dënimin e saj me 1-vit burgim dhe në aplikim të Nenit 59 e konvertoi me 2 vite shërbim prove”.
Gjyqtari Vavla vendosi gjithashtu edhe dënimin plotësues me heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionin të mjekut për 2 vjet për Karkanjozin.
Prindërit e vajzës janë shprehur të pakënaqur me vendimin e dhënë nga Gjykata e Beratit dhe kanë deklaruar se do ta apelojnë atë. Nëna e vajzës, Anila Dërrasa ka deklaruar se, Gjykata e Beratit nuk ka dhënë vendimin e duhur pasi nuk ka mbështetur kërkesën e Prokurorisë për dënimin e mjekes me 4-vite burgim. Anila,duke deklaruar se nuk ndihet e qetë për dënimin e dhënë për mjeken,shprehet se,mjekja gaboi në mjekimin e dhënë dhe mori jetën e një fëmije që gëzonte shëndet të plotë.
Babai i vajzës, Xhevair Dërrasa e ka cilësuar vendimin e dhënë thjesht si “1 ditë burg” për mjeken.