E drejta për të protestuar përfundon në Gjykatën Kushtetuese. Ndryshimet e kodit penal risollën të formuluar nenin 262 i cili për të protestuar kërkon më parë të merret leje tek organet kompetente.
Në rast se protestohet pa leje ky nen dhe kodi penal parashikon dënim si kundra-vajtje penale me gjobë ose dënim deri në një vit burg.
Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
E ky nen sipas Gjykatës së Apelit të Shkodrës është antikushtetues dhe duhet shfuqizuar pasi heq të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Këtë ankim apeli i Shkodrës e ka depozituar në Kushtetuese për t’u shprehur drejtpërsëdrejti me një kontroll incidental, pasi vetë apeli në Shkodër po shqyrton një çështje që lidhet me tubimin e paligjshëm.
Gjykata kushtetuese e ka regjistruar këtë ankim prej 28 janar 2020 ndërsa mbetet në pritje për të formuar trupën gjykuese për ta shqyrtuar.
Kjo është padia e dytë për ligje antikushtetuese e depozituar nga gjykatat në vend pranë kushtetuese, më herët ishte gjykata e Tiranës e cila kërkoi të shfuqizohet ndryshimi në kodin e procedurës penale për rishikimet e dënimeve dhëna në mungesë.