Gjykata e Lartë shumë shpejt mund të ketë fatin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka mbetur vetëm me një anëtare, konkretisht Vitore Tushën, të cilës i ka mbaruar mandati, pasi është emëruar që në mars të 2008. Deri më sot, filtrit të trefishtë të Vetingut i kanë mbijetuar përfundimisht vetëm dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani dhe Medi Bici.

Por, Dvoranit i ka mbaruar mandati 9-vjeçar, pasi është emëruar në këtë institucion që në 17 shkurt 2005. Ndërkaq, Medi Bici nuk është më sot anëtar i Gjykatës së Lartë pasi është zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Anëtari Edmond Islamaj dhe kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Apelimit, pra shkalla e parë e Vetingut, por fati i tyre do të vendoset nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Shkarkimi i Zaganjorit është rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, me argumentin se “Xhezair Zaganjori nuk ka sjellë asnjë dokument, si për shembull deklarime bankare, lidhur me të ardhurat nga mësimdhënia në universitet, kostot e qirave, shpenzimet familjare, ndonëse një gjë e tillë i është kërkuar në mënyrë specifike.

Si kryetar i Gjykatës së Larë dhe një nga zyrtarët më të lartë të gjyqësorit në Republikën e Shqipërisë, Zaganjori duhet të kishte respektuar të gjitha ligjet dhe rregullat në fuqi. Sipas asaj që u dëshmuar më lart, ai nuk ka zbatuar detyrimet ligjore që kërkohen nga neni D i Kushtetutës së Shqipërisë. Për sa më sipër, ky organ rekomandon apelimin kundër vendimit të datës 24 korrik 2018 të KPK”.

Edmond Islamaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, organi fundor i Vetingut, mbylli dje shqyrtimin gjyqësor për fatin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në datën 7 qershor të 2018, vendosi të konfirmonte në detyrë Islamajn. Ndërkaq, Komisioneri Publik, më 11 korrik të 2018, vendosi t’i kërkonte Kolegjit të Apelimit shkarkimin e gjyqtarit Islamaj nga detyra.

Kolegji i Apelimit zhvilloi seancën e parë gjyqësore për shqyrtimin e ankimimit në 12 nëntor të 2018, ndërsa seancën e fundit e zhvilloi ditën e djeshme. Gjatë seancës së djeshme, trupi gjykues dëgjoi konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, të zbardhura nga Shqiptarja.com, ku si përfundim kërkoi shkarkimin nga detyra të Edmond Islamajt

si dhe konkluzionet përfundimtare të Islamajt, i cili si përfundim kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si një vendim i drejtë, i mbështetur në fakte e prova dhe i bazuar në ligj e Kushtetutë. Kolegji vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor si dhe të shpallë vendimin përfundimtar në datën 22 maj.

Konkluzioni i Komisionerit Publik

Shqiptarja.com ka siguruar konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, depozituar në Kolegjin e Apelimit, për Edmond Islamajn. “Nga sa më sipër, rezulton se subjekti i rivlerësimit për të gjithë periudhën e deklarimit për vitet 2004-2016 ka kryer deklarim të pasaktë… Nga analiza financiare, sa arsyetuam më sipër, rezulton se subjekti nuk mbulon me burime të ligjshme kursimet e deklaruar 10 493 870 lekë për një diferencë negative prej 6 712 886 lekë.

Për Komisionerin Publik, nga shqyrtimi gjyqësor u provua se subjekti i rivlerësimi ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me burimin e krijimit të pasurive në pronësi të personit të lidhur, bashkëjetueses së tij, si dhe mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e likuiditeteve…

Si përfundim, mbështetur ne parashikimet e nenit F, pika 3 dhe 7 të aneksit të Kushtetutës, nenit 66 të ligjit nr. 84/2016, kërkojmë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Edmond Islamaj”, thekson Komisioneri Publik.

Të konfirmuarit

Filtrit të Vetingut i mbijetuan përfundimisht vetëm Ardian Dvorani dhe Medi Bici. Por, Dvoranit i ka mbaruar mandati 9-vjeçar, ndërsa Medi Bici nuk është më anëtar i Gjykatës së Lartë, pasi është zgjedhur në KLGJ

Komisioneri

“Kërkojmë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Edmond Islamaj”.

Si u shpërbë grupi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë

1-Medi Bici, u konfirmua në detyrë nga Vetingu, por u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

2-Ardian Dvorani u konfirmua në detyrë nga Vetingu, por i ka mbaruar mandati 9-vjeçar, pasi është zgjedhur që në 2005.

3-Xhezair Zaganjori (kryetar i Gjykatës së Lartë), u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisioneri Publik, me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Pasurisë, për shkak të problemeve me pasurinë.

4-Edmond Islamaj, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Pasurisë, për shkak të problemeve me pasurinë.

5-Admir Thanza, i shkarkuar nga komisionet e Vetingut për shkak të lidhjeve me krimin, vjedhjes dhe dënimit në Itali, fshehjes, deklarimit të rremë dhe mosjustifikimit të pasurisë.

6-Tom Ndreca, i shkarkuar nga komisionet e Vetingut, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe kontakteve me një person të inkriminuar.

7-Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë, i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkak të disa problemeve me pasurinë.

8-Majlinda Andrea, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë, e dënuar nga vetë Gjykata e Lartë për korrupsion.

9-Mirela Fana, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë, e dorëhequr nga frika e Vetingut.

10-Andi Çeliku, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij.

11-Aleksandër Muskaj, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij.

12-Evelina Qirjako, e larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e saj.

13-Guxim Zenelaj, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij.

14-Arjana Fullani, e larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e saj.

Artikulli paraprakZGJEDHJET E 30 QERSHORIT, REGJISTROHEN 2 KOALICIONE NË KQZ
Artikulli tjetërASSANGE THOTË SE DO TË KUNDËRSHTOJË EKSTRADIMIN NË SHBA