Gjykata e Lezhës ka vërtetuar mandatin e kryetarit të bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj. Ai është rikonfirmuar si kryebashkiak për një mandat të dytë si pjesë e Partisë Socialiste.
Ndrec Dedaj u zgjodh kryetar i Bashkisë së Mirditës në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, si kandidat i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ai ka përfunduar Akademinë e Rendit Publik dhe ka punuar në struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit përgjatë viteve 1992-2001.
Në vitin 2001, ai mori drejtimin e policisë bashkiake në Bashkinë e Tiranës, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2009. Në vitin 2013, Ndrec Dedaj kryesoi fushatën e Partisë Socialiste në Mirditë dhe pas zgjedhjeve u emërua prefekt i Qarkut të Lezhës.
Më 30 prill 2015, ai dha dorëheqjen si prefekt për t’i hapur rrugën karrierës së tij si kryetar i Bashkisë së Mirditës.