Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor. Vendimi u njoftua ditën e sotme (24 Dhjetor). Padia ishte bërë për të rrëzuar paktin PD-PS për listat e mbyllura dhe ndryshime të tjera, por tashmë ankimimi nuk është marrë parasysh. Partitë e vogla kërkuan rrëzimin e ndryshimeve në Kod, duke i cilësuar si në ‘papajtueshmëri me kushtetutën’. Gjykata vlerëson se kërkesa lidhet me një kompetencë të Parlamentit si delegim.

“Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve nuk janë të bazuara, sepse lidhen me rezultat e votimit, që i korrespondon shpërndarjes së mandateve, ndërsa sipas nenit 64 të Kushtetutës, kjo shpërndarje dhe masa e shtrirjes së votimit parapëlqyes i është deleguar ligjvënësit (Parlamentit), ndërkohë që garancia kushtetuese për ushtrimin e së drejtës së votës parapëlqyese në nenin 64, pika 3 të Kushtetutës lidhet me procesin e votimit”, theksohet në vendimin e marrë.

Teksa më tej shpjegohet se nga verifikimi nuk konstatohet se ka cenim të barazisë para ligjit dhe se parashikimet ligjore u drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithëve.

“Bazuar po në këtë premisë, Gjykata nuk konstatoi as cenim të parimit të barazisë përpara ligjit si për partitë politike ashtu dhe për organizatat dhe individët në dy aspektet e mësipërme, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për sa kohë që në analizë të pretendimeve të kërkuesve dhe të dispozitave objekt shqyrtimi, rezultoi se parashikimet ligjore i drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve, prandaj, për rrjedhojë, nuk bëjnë diferencim mes tyre në procesin e votimit”, theksohet aty.

Në lidhje me kërkesën e pretendimit të kërkuesve për procedurën e miratimit të ligjit, Kushtetuesja shprehet se nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje.

“Për sa i përket pretendimit të kërkuesve për procedurën e miratimit të ligjit, Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2 të Kushtetutës, të detajuar në nenin 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000”.

Më herët, Gjykata Kushtetuese rrëzoi (4 Dhjetor) kërkesën e 7 partive të vogla, kreut të demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha e 3 mbështetësve të tij, për pezullim e e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të miratuara në Korrik nga PD e PS. Shtatë partitë e vogla u bënë bashkë kundër paktit PD-PS për mbylljen e listave dhe Gjykata Kushtetuese pati një seancë të hapur, ku u dëgjuan pretendimet e 7 partive dhe përfaqësuesit ligjor të Lulzim Bashës, si dhe përfaqësuesit e Kuvendit, Mimoza Arbri dhe Viktor Gumi, të cilët kundërshtuan pezullimin. Ndërsa brenda 30 ditëve Gjykata Kushtetuese la që të shprehej për shfuqizimin ose jo të këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ditën e sotme kjo kërkesë është rrëzuar përfundimisht.

Artikulli paraprakAMERIKA PO PLANIFIKON TË TËRHIQET NGA ORGANIZATA BOTËRORE E SHËNDETËSISË
Artikulli tjetërBALLKANI NËN STUHI TË FORTA BORA, SITUATË KRITIKË NË SERBI, KROACI E BOSNJË