Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e opozitës për shpalljen antikushtetues të vendimit për ndërtimet pa leje

Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 6 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (28 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 589, datë 7.9.2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 dhe vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.”- thuhet në njoftim. Në tetor të vitit të kaluar, PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese nismën e firmosur nga 28 deputetë ku kërkohej shfuqizimi i vendimit të këshillit të ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke e konsideruar si marrje në mbrojtje të pronave të oligarkëve që kanë ndërtuar kulla në Tiranë. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe në këtë mënyrë u legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit. Në të kundërt ndërtimet do të sekuestrohen.

Artikulli paraprakRRËMBIMI I 3 POLICËVE TË KOSOVËS, RAMA: TË KTHEHEN MENJËHERË NË SHTËPI
Artikulli tjetërZGJEDHJA E KREUT TË RI TË PD-SË, SOT MBLIDHET KRYESIA, DISA DEPUTETË TË PRANISHËM!