Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Lartë për deputetin Mark Frrokun, ku do të rishikohej masa e sigurisë për akuzat belge, nga arrest me burg në arrest shtëpie.  Nën masa të rrepta sigurie Frroku është paraqitur në ambjentet e Gjykatës rreth orës 10:00 ashtu siç edhe ishte parashikuar. Frroku ka paraqitur një kërkesë më 21 Gusht, ku kërkon zëvendësimin e masës arrest me burg me një masë më të lehtë, atë me arrest shtëpie dhe një garanci prej 10 mijë Eurosh.

 Gjatë seancës është zëvendësuar gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Nuni nga gjyqtari Ardian Dvorani. Arsyeja e zëvendësimit ishte pamundësia fizike e Nunit për tu paraqitur në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, është zëvendësuar avokati  Genc Gjokutaj nga avokati Dhimitër Muslia.Mark Frroku ndodhet në arrest me burg që prej  3 prillit, kur Gjykata e Lartë dha këtë vendim për të lidhur me akuzat për vrasje e shfrytëzim prostitucioni që vijnë nga Belgjika, dhe të fshehjes së pasurisë nga autoritetet shqiptare.  Ai akuzohet nga drejtësia belge për vrasjen e shqiptarit Aleksandër Kurti në vitin 1999 në Bruksel si dhe shfrytëzim prostitucioni. Ndërsa autoritetet shqiptare, veç inskenimit të atentatit me deputetin Doshi, kanë depozituar kallëzim penal ndaj deputetit edhe për 4 vepra të tjera penale të “Refuzim për deklarim pasurie”, “Deklarim i rremë pasurie”, “Fshehje pasurie” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.  Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një pasuri prej rreth 3 milionë dollarësh e deputetit Frroku, e përbërë nga para cash si dhe pasuri e patundshme apo edhe biznese.  

Artikulli paraprakMUSTAFA: NUK E KEMI SHKELUR LIGJIN E GJUETISË
Artikulli tjetërMAQEDONI, GAZ LOTSJELLËS MBI EMIGRANTËT