GJYKATA E KA CILËSUAR TË PALIGJSHËM ARRESTIMIN E MARASH MARTINIT
Ndryshe nga 2 seancat e shkuara gjyqësore kur kryepleqtë morën masën e sigurisë “Arrest me burg”, në rastin e kryeplakut të fshatit Nicaj, komuna Shalë, Gjykata e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e Marash Martinit, 64 vjeç.
Kryeplaku Martini ishte ndaluar nga forcat e policisë pasi akuzohej për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi. Sipas uniformave blu, Martini nuk ka bashkëpunuar dhe informuar strukturat e policisë për identifikimin e parcelave të mbjella me bimë të dyshuara si kannabis sativa në territoret e këtij fshati.
Gjatë aksionit të policisë në zonën e Dukagjinit, ne territorin e fshatit të kryeplakut Marash Martini, policia kishte identifikuar dhe asgjesuar 133 rrënjë kanabis sativa. Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura në gjykatën e Shkodrës, organi i akuzës e ka cilësuar të ligjshëm ndalimin e 64-vjeçarit, duke kërkuar si masë sigurie “Arrest me burg”. Ndërkohë, vetë Martini përpara togave të zeza ka hedhur poshtë faktin se ai ka pasur dijeni për parcelat e kultivuara me kanabis në fshatin e tij, duke sqaruar se për këtë arsye edhe nuk ka njoftuar policinë. Sipas 64-vjeçarit, lenda narkotike ka qënë e mbjellë në zonat e thella malore e në toka pa pronar, duke kërkuar kështu edhe lirimin nga paraburgimi.
Me të njëjtin prentendim ka ndjekur argumentin mbrojtës edhe avokati i tij, duke i kërkuar trupës gjykuese cilësimin si të paligjshëm arrestimin e Martinit. Kjo kërkesë bazuar edhe në faktet e paraqitura u miratua edhe nga gjykatësi Sokol Shehu, i cili e vlerësoi si të plaigjshëm arrestimin e kryeplakut të fshatit Nicaj, Marash Ndue Martini, duke vendosur kështu lirimin e menjëhershëm të tij, si dhe caktimin si masë sigurimi atë të detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore cdo të enjte në orën 12.00.