Duket se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do ta ketë të lehtë të ndalojë futjen e të huajve në Amerikë.
Kjo pasi një gjykatës federal në Hawaii ka bllokuar urdhërin e ri të Presidentit Donald Trump për ndalimin e lëvizjes së lirë, që ishte parashikuar të hynte në fuqi mesnatën e së enjtes. Vendimi i gjykatësit Derrick Watson ndalon kështu urdhërin ekzekutiv që të hyjë në fuqi. Direktiva e re parashikonte vendosjen e ndalimit të udhëtimit për një afat 90 ditor nga gjashtë vende me shumicë myslimane dhe ndalimin e refugjatëve me 120 ditë. Presidenti Trump deklaroi se kjo do të ndalonte futjen e terroristëve në SHBA, por kritikët thonë se ky është diskriminim. Një urdhër i ngjashëm ekzekutiv, i firmosur kohë më parë nga Presidenti amerikan shkaktoi konfuzion e protesta dhe u bllokuar nga një gjykatës në Seattle. Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë ende një koment për vendimin e fundit ligjor.