Të gjithë ato familje që përdorin ujin e puseve në shtëpitë e tyre duhet të bëjnë kujdes sepse mund të jetë i ndotur nga ujërat e zeza.
Po ashtu problematike është situata edhe për zonën industriale ku një numër i madh banorësh kanë shpime nëntokësore. Atje uji mund të jetë i ndotur për shkak të mbetjeve toksike që janë nëntokë. Këto shqetësime i bën të ditura shefi i shëndetit mjedisor Burim Gjyli. Sa i përket ujit të pijshëm në qytetin e Shkodrës, Gjyli shprehet se nuk ka probleme dhe se është brenda normave ndaj mund të konsumohet pa frikë. Gjatë gjithë kohës shëndeti mjedisor bën monitorime për ujin e pijshëm në mënyrë që situata të jetë nën kontroll, aq më tepër gjatë stinës së verës ku rreziku është më i madh.