Ka përfunduar në Gjykatën Administrative debati mes anëtarit të KLP-së Bujar Sheshi dhe Autoritetit të Dosjeve.

Sheshi ka kërkuar shfuqizimin e vendimit që e ka cilësuar atë ish-sigurims. Vendimi pritet të jepet në 12 prill.

Gjykata Administrative do të shprehet në 12 prill për kërkesën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, i cili ka paditur në Gjykatën Administrative Autoritetin e Dosjeve, dhe i kërkon të shfuqizojë vendimin ku ai konsiderohej si pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit.

Padia është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative, në datën 8 mars, ndërsa anëtari i KLP-së, i cili ka mohuar të ketë pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit, kërkon “shfuqizimin e aktit administrativ, Vendim nr. 12, datë 22.01.2019 i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Prokurori pretendon se akti në fjalë ka cënuar të drejtat dhe interesat e tij, ndërsa e konsideron konstatimin e Autoritetit si të pavërtetë.
Padia ka kaluar në gjykim në datën 28 mars dhe po shqyrtohet nga gjyqtari Emiljano Ruli.

Në seancën e zhvilluar këtë të hënë palët kanë paraqitur argumentat e tyre.
Pika e parë që kundërshtohet nga anëtari i KLP-së është se AIDSSH nuk mund te interpretonte faktin se personi që kanë gjetur në kartelën e Sigurimit të Shtetit (Bujar Rasim Shesha) është i njëjtë me Prokurorin Bujar Ramiz Sheshi.

Nuk i lejohet ky veprim sipas ligjit, për shkak se janë Autoritet informues dhe jo interpretues.

Po ashtu, konkluzioni i dytë se qënia e prokuror Bujar Ramiz Sheshit si hetues e bën atë të rezultojë në dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit është i pabazuar, pasi Hetuesia ka qenë organ i veçantë nga Sigurimi i Shtetit.

Ndërsa përfaqësuesi i Autoritetit të Dosjeve i ka qëndruar vendimit të marrë më herët, duke kërkuar lënien e tij në fuqi.

Më herët, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, i kërkoi edhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që të korrigjojnë vendimin e tyre.

Përmes një kërkese zyrtare, Sheshi kërkoi nga Autoriteti që të tërheqë vendimin e bërë publik, ku e cilëson si ish-sigurims, por mori një përgjigje negative.

Artikulli paraprakDO HIDHNIN NË ERË URËN RIALTO NË VENECIA, APELI NUK UL DËNIMIN PËR 3 KOSOVARËT E ARRESTUAR
Artikulli tjetërDYSHONTE SE GRUAJA E TRADHËTONTE, BURRI VRET DJALIN 4-VJEÇAR DHE MË PAS VETËVRITET