Kanë kaluar 7 muaj që nga ngjarja në shtëpinë e fëmijës shkollore në Shkodër ku u arrestuan fillimisht 5 punonjëse dhe ende çështja ndodhet në hapat e parë pa marrë një zgjidhje në gjykatat e Shkodrës.

Nga 5 punonjëset e arrestuara, 4 prej tyre kanë lënë qelitë e burgut, Najada Ramolli, Violeta Marku, Rafaela Camaj dhe Shpresa Nishani. Dy prej tyre janë ende në “arrest shtëpie” ndërsa për dy punonjëse të tjera është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Me masën e sigurisë “arrest me burg” vazhdon që të jetë ish-drejtorja Albana Llazani. Kjo e fundit ndodhet e arrestuar që me 18 maj të këtij viti dhe ende nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore në gjykatën e shkallës së parë. Edhe pse janë caktuar rreth 5 seanca gjyqësore deri më tani ende asnjë gjyq nuk ka arritur të zhvillohet duke e zvarritur kështu procesin dhe këtë ngjarje. Shkak i moszhvillimit të seancave gjyqësore është bërë prokuroria duke qenë se prokurorja e çështjes Arta Marku nuk është paraqitur asnjëherë duke munguar. Mungesa e prokurores ka detyruar që ky gjyq të vijojë që të shtyhet. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se prokurorja Marku është me pushim lindjeje ndaj edhe ka munguar në seancat e gjyqit. Nga ana tjetër burime pranë ish-drejtores Llazani tregojnë se kjo po bëhet me qëllim për ta shtyrë sa më gjatë këtë proces gjyqësor duke qenë se në mes është një çështje tejet delikate sepse janë në mes 3 fëmijë për të cilët pretendohet se janë abuzuar dhe dhunuar. Prokurorja Marku mund t’ia kishte deleguar dosjen ndonjë tjetër prokurori por kjo nuk ka ndodhur duke krijuar kështu një ngërç dhe një barrë të rëndë që bie në këtë rast mbi supet e ish-drejtores Llazani. Ende nuk dihet se kur do vijë momenti që prokuroria do jetë e pranishme në sallën e gjyqit për të nisur seancat. Brenda pak ditëve është caktuar një tjetër gjyq por që me shumë gjasa mund të shtyhet sërish siç ka ndodhur deri tani.

Artikulli paraprakSHKODËR: PLAGOSET 44 VJEÇARI NUK DIHET AUTORI
Artikulli tjetër“SHTËPIA E FËMIJËS ME PUNONJËS TË PATRAJNUAR”