Gjyqi i Frrokut, një prift për dëshmitar

Në seancën e radhës të procesit gjyqësor ndaj ish-deputetit, Mark Frroku u shënua një rast i veçantë, ku Prokuroria solli një dëshmitar, që konfirmonte pretendimet e të pandehurit kundër akuzës për vrasje. Dom Gjovalin Suka, ish-administrator i Famullisë ‘Shën Shtjefni’ në Shkodër, i thirrur si dëshmitar nga organi i akuzës, pohoi se Mark Frroku dhe familjarët e tij kishin bërë betimin tek Kapela e Varrezave të Majit se nuk kishin dorë në vrasjen e Aleksandër Kurtit. Sipas priftit kalotik, ‘betimi’ në të tilla raste bëhet për të shuar konfliktet mes familjeve dhe se një njeri që bën “be”-në, sipas Kanunit është i pastër për atë që akuzohet. Këtë fakt e ka pretenduar më herët edhe i pandehuri Frroku dhe në seancën e së martës e përforcoi edhe Dom Gjovalin Suka i thirrur nga Prokuroria. Ky është ndoshta rasti i vetëm në drejtësinë shqiptare, ku thirret për të dëshmuar në një gjyq penal një prift, i cili shpjegon ritet liturgjike dhe kanunore, të cilat nuk mund të merren për bazë në një proces gjyqësor, rregullat e zhvillimit të të cilit i përcakton Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi Penal.

Artikulli paraprakPOLICIA E JANINES SEKUESTRON 132 KG KANABIS QE VINTE NGA SHQIPERIA,NDALOHEN KATER GREKE
Artikulli tjetërREFUGJATET PERDHUNOJNE PERKTHYESEN NE KAMPIN KALAIS NE FRANCE