Gjyqi i rrëmbyesve, kërkohet njoftimi i të shpallur në kërkim

Viktor Islami është i vetmi i arrestuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e 37-vjeçarit Ridvan Lamaj për fatin e të cilit prej më shumë se një viti nuk dihet asgjë. Gjykata nuk e ka hapur dot procesin kundër të dyshuarit për shkak se duhet ezauruar njoftimi i të bashkëpandehurit me të, shtetasit Adrian Ogici. i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i Islamit. Për Ogicin Gjykata e Krimeve të Rënda ka urdhëruar policinë të kryejë edhe njëherë kërkime në zonën e Sarandës dhe më pas do të vendoset gjykimi i tij në mungesë. Dy të rinjtë janë nën akuzë nga Krimet e Rënda për rrëmbim dhe mbajtje peng në bashkëpunim të Ridvan Lamajt, baba i dy fëmijëve. Sipas dëshmitarëve ai është parë për herë të fundit më 15 qershor 2015, kur është rrëmbyer me një automjet në qytetin e Sarandës dhe prej asaj dite nuk dihet më asgjë për të. Prokuroria thotë se rrëmbimi i tij ka ndodhur për prishje të pazarave të drogës, aq më tepër që personat nën akuzë janë të skeduar në këtë fushë. Lamaj, sipas hetimeve të kryera, ka qenë korrier droge duke punuar në favor të të pandehurve dhe sipas akuzës, rrëmbyesit kanë dyshuar se ai ishte implikuar në zhdukjen e një dërgese me kanabis. Por ndërsa prokuroria ka ngritur vetëm akuzën e rrëmbimit, çështja e trafikimit të narkotikëve është pushuar. Gjithashtu, prokurorët nuk kanë ende të dhëna se çfarë ka ndodhur me Lamaj pas rrëmbimit. Nga ana tjetër, Viktor Islami këmbëngul se nuk e njeh Ridvan Lamajn, deklaratë që hidhet poshtë nga familjarët e tij.

Artikulli paraprakSKANDALI I PROKURORIT,NIS HETIMI PER SEKSERIN
Artikulli tjetërSPANJA SHPALL LISTEN,ME SHUME SULMUES KUNDER ITALISE E SHQIPERISE