Një tjetër seancë gjyqësore është shtyrë për ish-drejtoren e shtëpisë së fëmijës Albana Llazani.

Tashmë ky proces ndaj Llazanit po kthehet thuajse në një lojë nga sistemi i drejtësisë, kryesisht prokuroria e Shkodrës. Albana Llazani ka hyrë në muajin e 8-të që nga momenti i arrestimit me 18 maj të këtij viti. Që nga ajo kohë janë zhvilluar vetëm dy seanca për masë sigurie në gjykatën e shkallës së parë dhe në atë të apelit dhe është lënë masa “arrest me burg”. Pala mbrojtëse e ka dërguar çështjen edhe njëherë në gjykatën e rrethit duke kërkuar një tjetër masë sigurie. Që nga ai moment kur çështjen e kishte prokurorja Arta Marku gjyqi është shtyrë 5 herë dhe prokurorja nuk është paraqitur me justifikimin se është me pushim lindjeje. Kohët e fundit çështja i ka kaluar një tjetër prokurori, Xhevahir Lita. Me 27 dhjetor ishte një tjetër seancë që sërish u shty sepse nuk ishte e pranishme as gjyqtarja Luveda Dardha për shkak se kishte marrë raportë por as prokurori i çështjes. Seanca e radhës u caktua me 29 dhjetor por nuk u zhvillua për shkak se prokurori Xhevahir Lita që ka përzgjedhur organi i akuzës ndodhet në Amerikë. Në këtë mënyrë sërish gjyqi është shtyrë ndërsa dosja për ish-drejtoren Albana Llazani i ka kaluar një prokurori që ndodhet në Amerikë, çka shton dyshimet se ky process po zvarritet me qëllim nga prokuroria. Tashmë burimet bëjnë me dije se kanë kaluar edhe afatet ligjore sepse janë bërë 6 muaj, kaq sa parashikohet për akuzat që ka Llazani ndërsa prokuroria nuk ka bërë shtyrje të hetimeve. Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se avokati Ardian Hajdari disa herë ka kërkuar që prokuroria të vijë në gjyq por kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh ndërsa procesi vijon të zvarritet.

Artikulli paraprak“MË SHUMË DASHURI NË SHTËPINË E FËMIJËS”
Artikulli tjetër“NANA” KËNGA FITUESE NË FESTIVALIN “LULE BORË”