Gjykata e Apelit është tërhequr për të marrë vendimin në lidhje me vulën e Partisë Demokratike, nëse do të qëndrojë në duart e Enkelejd Alibeajt apo do t’i kalojë kryedemokratit Sali Berisha. Përfaqësuesi ligjor i grupimit të Sali Berishës Ivi Kaso, ka kërkuar mospranimin e ankimimit.
“Mospranimin e ankimit për shkak se Enkelejd Alibeaj nuk legjitimohet, ose të pushojë ankimimin si të pabazuar në ligj dhe prova”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Indrit Sefa përfaqësues i grupimit të Alibeajt, ka kërkuar pushimin e çështjes dhe prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.
“Kërkojmë pushimin e çështjes ose prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Ose ne alternative prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim”, ka deklaruar ai.
Seanca në Apel nisi në orën 11:00, dhe trupa gjyqësore shqyrtoi ankimimin e Alibeajt, i cili kërkoi rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e Kuvendit të Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim. Ndërkohë në këtë gjykatë janë shtuar masat e sigurisë. Grupi i Alibeajt përfaqësohet në seancë nga avokati Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa përfaqësues nga kryetarit të PD-së Berisha, është Ivi Kaso, i cili shoqërohet nga Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.