Edhe pse ende 182 armë nuk janë grumbulluar nga policia e shtetit për zyrtarët, në Shkodër të gjithë që mbanin armë për shkak të detyrës i kanë dorëzuar.

Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se prokurorët e prokurorisë së rrethit gjyqësor të Shkodrës, gjyqtarët e gjykatës së apelit bashkë me prokurorët e apelit dhe gjyqtarët e gjykatës së shkallës së parë i kanë dorëzuar armët që mbanin. Në njoftimin e policisë së shtetit kategoritë më problematike ishin gjyqtarët dhe prokurorët nga ku 182 prej kësaj kategorie ende nuk i kanë dorëzuar. Në Shkodër situata është ndryshe dhe brenda afatit për dorëzimin e armëve që është 10 prilli, përfaqësuesit në organet e drejtësisë kanë bërë dorëzimin në sektorin e armatimit në drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës. Pak ditë më parë në zbatim të ligjit “Për Armët”, nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike u është dërguar strukturave vendore të Policisë së Shtetit, Letër-Porosia “Për masat që duhet të merren dhe procedurat që duhen ndjekur nga strukturat vendore të policisë, për zbatimin e ligjit “Për Armët”. Nga informacionet e marra nga strukturat vendore të policisë, janë pajisur me armë zjarri 350 zyrtarë për shkak të detyrës mes të cilëve Prokurorë, Gjyqtarë, Deputetë, Kryetar Bashkie, Ish Kryetar Komunash, Policia Pyjore, Hetimi Tatimor, Përmbarues Gjyqësor. Deri me 31mars të këtij viti janë grumbulluar 168 armë dhe kanë mbetur pa grumbulluar 182 armë zjarri pistoleta. Ligji për mbajtjen e armëve për zyrtarët është shfuqizuar duke parë historitë e disa prej këtyre zyrtarëve të cilët me armët e dhëna nga shteti kanë kryer ose kanë tentuar të kryejnë krime. Pak ditë më parë, ishte ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili u bëri thirrje të gjithë zyrtarëve që nuk përmbushin kushtet për mbajtjen e armës, t’i dorëzojnë ato pranë organeve të policisë.

Artikulli paraprakKOMPETENCAT NGA PREFEKTURA NË BASHKI PENALIZOJNE PMNZH
Artikulli tjetërTRAFIKU I DROGËS, SHQIPËRI – ITALI – HOLLANDË, 13 SHTETAS NË PRANGA