Pak minuta para se kuvendi të votonte ndryshmet në qeverinë Edi Ramës, e cila tashmë ka brenda saj edhe element opozitarë, Partia Demokratike dega Shkodër ka zhvilluar një mbledhje me anëtarët e saj në kuadër të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Kryetari Çobaj, duke përcjellë mesazhet e Lulzim Bashës, u kujdes që disa herë gjatë fjalës së tij të citonte se demokratët nuk po bashkëqeverisin me Partinë Socialiste, thjesht është bërë një marrëveshje që garanton besim për zgjedhje. Çadra, protesat, dëmshpërblimet e përmbytjeve, mbifaturimet e energjisë elektrike, mungesa e fondeve për Shkodrën e të tjera çështje ishin kryefjalë e një aktiviteti 100% elektoral edhe pse ende pa kandidatë zyrtarë.
Kryebashkiakja e Shkodrës, shënjestra e kryeministrit gjatë këtij mandati, pa kaluar në akuza personale siç bën kreu i qeverisë, tha se kjo mazhorancë nuk ka bërë asgjë për Shkodrën. Edhe kryetarja e Këshillit të Qarkut Greta Bardeli, nuk i kurseu akuzat në drejtim të qeverisë. Më pas ky aktivitet ka vijuar pa praninë e mediave, ku u dhanë udhëzime në lidhje me organizimin për nt’iu drejtuar Tiranës me 27 maj, datë kur PD e Shqipërisë hap zyrtarisht fushatën elektorale.