Ipeshkvia Shkodër-Pult ka lançuar kampin veror “Go4Peace” me pjesëmarrjen e 110 të rinjve nga vende te ndryshme të Evropës.

Për këtë kamp veror që do të zhvilohet në fshatin e paqes pranë malit të Taraboshit, Ipeshkvi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra tha se ka qëllim parësor bashkëjetesën fetare dhe mirëkuptimin e të rinjve pavarësisht aspekteve kulturore apo fetare.

Koordinatori i këtij projekti, gjermani Meinolf Wacker (MEINOLF WOKER) tha se ky është viti i parë që organizohet në Shqipëri, kjo për shkak të dy ngjarjeve të rëndësishme për kishën katolike të Shqipërisë që ndodhën gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, famullitari i Shkodrës Dom Artur Jaku ftoi të gjithë të rinjtë që të bëhen pjesë e aktivitetit përmbyllës, i cili do të zhvillohet në ambientet e jashtme të katedrales së “Shën SHtjefnit” në Shkodër.

“Go4Peace” është një projekt në formën e një kampi veror, që nisi rreth 20 vite më parë nga një grup priftërinjsh gjermanë. Arsyeja e nisjes së këtij kampi ka qenë lufta në ballkan para viteve 2000, ndërsa krijimi i një kampi të tillë synonte rritje e bashkëpunimit dhe tolerancës mes popujve. Ky kamp veror është zhvilluar për herë të parë në Bosnje Hercegovinë, ku që nga ajo kohë çdo vit, të rinj nga vende të ndryshme, nxiten të jetojnë së bashku për 10 ditë për të promovuar paqen dhe rindërtimin e shoqërive të pasluftës.

Artikulli paraprakKANABIS, SEKUESTROHEN 428 RRËNJË KANABIS
Artikulli tjetër160 SHQIPTARË TË AKUZUAR NGA SERBIA PËR KRIME LUFTE