Godina e Gjykatës së Apelit në Shkodër do t’i kalojë PS

Godina e Gjykatës së Apelit në Shkodër do t’i kalojë Partisë Socialiste. Projektvendimi i cili është siguruar nga Shqiptarja.com, është përgatitur nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ju është dërguar për mendim ministrive të tjera. Propozimi mbështetet nga një kërkesë e bërë prej deputetes Blerina Gjylameti, në cilësinë e sekretares elektorale në PS. Ajo i ka dërguar në 26 tetor të këtij viti një kërkesë Ministrisë së Brendshme për pajisjen me ambiente të degës së Shkodrës së Partisë Socialiste, duke propozuar që ambientet e Gjykatës së Apelit, e cila është duke u zhvendosur në një godinë të re, të kalojnë në përdorim të PS. Për këtë arsye, ministri Tahiri, bazuar në ligjin për “Partitë Politike”, ka përgatitur një projektvendim që do të kalojë së shpejti në Këshillin e Ministrave. “Të nderuar kolegë, Bashkëlidhur, ju dërgojmë për mendim projektvendimin “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Punëve të Brendshme, të pasurisë se paluajtshme “Gjykata e Apelit Shkodër”, me qellim pajisjen e subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë me ndërtesë, për Degën Vendore të Partisë Socialiste, Qarku Shkodër”, së bashku me relacionin përkatës”, shkruhet në dokumentin e firmosur nga Saimir Tahiri që Shqiptarja.com disponon.

Artikulli paraprakSAIMIR PIRGU SHQIPTARI I PARË KANDIDAT PËR GRAMMY AWARDS
Artikulli tjetërAKUZAT PËR KRIME LUFTE, KËRKOHET BURGIM I PËRJETSHËM PËR MLLADIÇ