Itali, goditen klanet e mafias.Ndrangeta, gjykatë për gabimet e anëtarëve
Karabinierët e reparteve speciale në Itali kanë ndërmarrë në orët e para të mëngjesit një operacion kundër mafias kalabreze, duke arrestuar 116 persona, mes të cilëve krerë të rëndësishëm të organizatës. Operacioni është ekzekutuar pas një hetimi të nisur nga Drejtoria Rajonale e Antimafias që ka prekur zonën “jonike” të Kalabrisë, që konsiderohet dhe zemra pulsuese e të gjithë Ndrangetës, njëkohësisht pikë referimi për celulat e saj që veprojnë në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Personat e arrestuar konsiderohen përgjegjës për një sërë akuzash, mes të cilave pjesëmarrje në organizatë mafioze, zhvatje pasurish, armëmbajtje pa leje, krime ekonomike dhe të tjera, të gjitha të kryera me anë të forcës dhe dhunës. Por ajo që ra në sy nga ky hetim ishte fakti se Ndrangeta ishte e pajisur me gjykata të mirëfillta për të gjykuar anëtarët e dyshuar për shkelje të rregullave dhe për të qetësuar konfliktet e brendshme mes familjeve. Gjithashtu, hetimi ka konfirmuar funksionimin e organizatës kriminale si një strukturë unitare dhe e fshehtë, e artikuluar në nivele të ndryshme hierarkike dhe e pajisur me organizma, me përfaqësues të 23 familjeve mafioze që dominojnë në pjesën joniane të territorit. Gjatë hetimit janë identifikuar gjithashtu lidhje të klaneve me politikën për sigurimin e tenderave për shpenzimet publike.