Një grup trafiku i lëndëve narkotike është goditur nga prokuroria dhe policia. Gjashtë persona janë arrestuar nga policia e Shkodrës dhe janë sekuestruar 200 kg bimë e dyshuar si lëndë narkotike.

Policia ka gjetur në cilësinë e provave materiale edhe dy pistoleta, telefona celulare, radio marrëse dhe automjete të përdorur.

Në pranga sipas prokurorisë së Shkodrës kanë rënë shtetasit Ardit Haxhagici, 34 vjeç nga Shkodra, Bardh Gostini 37 vjeç nga Lezha, Rezart Çarçani 34 vjeç, Neritan Saraçi 51 vjeç nga Shkodra, Ramadan Dushaj 61 vjeç nga Malësia e Madhe dhe Vilson Ndoka 27 vjeç nga Lezha.

Përveç 6 të arrestuarve ka edhe disa persona të tjerë të cilët janë shpallur në kërkim. Në datën 7 qershor të këtij viti u regjistrua procedimi penal mbi bazën e infomacionit të dhënë nga policia e Shkodrës se shtetasi Ramadan Dushaj organizonte veprimtari për financimin dhe transportin e lëndëve narkotike (marijuanë) në Qarkun e Shkodrës.

Sipas informacioneve rezultoi se shtetasi Ramadan Dushaj kamuflonte veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve narkotike me aktivitet të grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore.

61 vjeçari nga Malësia e Madhe kishte grumbulluar sasi të konsiderueshme lënde narkotike, për të cilën kërkonte treg shitjeje ndërsa mbante me vete mostra të marijuanës.

Pas informacioneve të siguruara grupi hetimor ka aplikuar metodat speciale të hetimit duke arritur kështu në zbulimin e aktivitetit kriminal dhe sekuestrimin e 200 kilogramëve të dyshuar si marijuanë bashkë me arrestimin e 6 shtetasve teksa ndodheshin në afërsi të Laçit.

Shtetasi Vilson Ndoka sipas prokurorisë rezulton se më përpara ishte shpallur në kërkim pasi ndaj tij është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Ky operacion është realizuar brenda 7 ditëve i drejtuar nga prokuroria në bashkëpunim me policinë e Shkodrës dhe të Lezhës.

 

Artikulli paraprakISH -MATURANTËT TAKIM PAS 40 VITESH
Artikulli tjetër“VEPRA POETIKE” NË SYTË E SHKRIMTARËVE SHKODRAN