Goditet organizata greko-shqiptare, kapen 257 kg kanabis

Divizioni i narkotikëve në Attika të Athinës ka goditur një organizatë kriminale që ishte aktive në transportin e sasive të konsiderueshme të kanabisit nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Policia sqaron se më pas lënda narkotike tregohej në tregun e brendshëm në Evropë. Operacioni përveç në Attika është zhvilluar edhe në Akaisë, Etoloakarnania dhe Thesprotia, duke çuar në pranga 11 anëtarë të një organizate kriminale, midis të cilëve, katër shqiptarë, tre burra të moshës 33, 36 dhe 40 vjeç, si dhe një 21 vjeçar. Midis të arrestuar edhe një vajzë greke. Policia greke sqaron se pas hetimeve të plota dhe sistematike është bërë e mundur identifikimi i anëtarëve të organizatës, vendet ku ata ishin fshehur, mënyra e funksionimit dhe metodologjia e tyre e veprimit. Përveç transportit tokësor, droga trafikohej edhe në rrugë detare me anë të gomoneve. Rol kryesor në organizimin e trafikut detar ka një 40 vjeçar shqiptar, i cili bënte të mundur transportimin e kanabisit. Një 33 vjeçar shqiptar koordinonte transportin tokësor në drejtim të Greqisë. Përveç kësaj, përgjegjës për rekrutimin e anëtarëve ishte një 31 vjeçar grek. Anëtarët e tjerë merreshin me transportin e mëtejshëm, ruajtjen, trafikimin, përgatitjen për eksport të sasive të drogës. Gjatë ditës së djeshme (14 dhjetor), në bashkëpunim me policinë e Igumencës është identifikuar në port një gomone, e cila po transportonte drogë nga Shqipëria. Kështu, policia greke ka arritur të sekuestrojë 257 kg e 845 gram kanabis. 2.9 grama drogë e MDMA, 5730 euro, 100 mijë lekë shqiptare, dy peshore precize, 25 pajisje të lëvizshme, telefona celularë etj. Të arrestuarit janë dërguar pranë Prokurorisë së Athinës.

Artikulli paraprakEMIGRANTË DREJT AUSTRALISË, NË KËRKIM ADMINISTRATORI I AGJENCISË
Artikulli tjetërMASIVI I BORËS ZË POSHTË FËMIJËT, SHPËTON NJËRI