Vllaznia dhe Teuta janë dy skuadrat e fundit që prenë biletën për në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Shkodranët kaluan pa probleme Flamurtarin, duke e mundur 4-0. Në Shkodër, të besuarit e Qatip Osmanit mbyllën llogaritë që në pjesën e parë, duke realizuar 3 herë. Balaj shndërroi në gol një penallti, Mala dyfishoi shifrat, ndërsa Alivoda thelloi epërsinë. Në pjesën e dytë, Boshnjaku vendosi emrin në listën e golashënuesve.
Teuta “likuidoi” Skënderbeun falë suksesit 2-0 në “Niko “Dovana”. Portieri i korçarëve, Alia la skuadrën me një lojtar më pak në minutën e 41-të, teksa preku topin me dorë jashtë zonës. Në superioritet numerik, “Djemtë e detit” zhbllokuan takimin me Dacin në të 49-tën dhe “vulosën” kualifikimin me Arifin pak më vonë. Asnjë ndryshim rezultati deri në fund, me ekipin e Edi Martinit që sheh përpara, me synimin për të garuar si pretendent deri në fund.
Skuadrat e tjera çerekfinaliste janë Egnatia, Erzeni, Tirana, Kukësi, Laçi dhe Partizani.