Kompania Google do të fillojë javën e ardhshme një fushatë për të luftuar dezinformimin mbi refugjatët ukrainas në Poloni, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Fushata që do të kryhet nga dega e saj GOOGL.O Jigsaw bazohet tek studimet e psikologëve në dy universitete britanike.

Duke punuar me Jigsaw, psikologët nga universitetet e Kembrixhit dhe Bristolit kanë prodhuar klipe prej 90 sekondash të krijuara për t’u dhënë njerëzve “imunitet” kundër përmbajtjeve të dëmshme në mediat sociale.

Klipet, të cilat do të shfaqen në YouTube dhe në platforma të tjera si Twitter TWTR.N, TikTok dhe në Facebook, synojnë të ndihmojnë njerëzit të identifikojnë manipulimet emocionale dhe gënjeshtrat në titujt e lajmeve.

“Nëse u thua njerëzve se çfarë është e vërtetë apo e rreme, shumë prej tyre do të debatojnë, por ajo që mund të parashikohet janë teknikat që përdoren në përhapjen e dezinformatave, si me krizën ukrainase,” thotë në një intervistë Jon Roozenbeek, një nga autorët kryesorë të një raporti që përmbledh punën kërkimore për fushatën.

Studimi u bazua në shtatë eksperimente, një prej të cilëve me një grup amerikanësh mbi 18 vjeç që shikojnë lajme politike në YouTube. Jigsaw u tregoi rreth 5.4 milionë përdoruesve të YouTube në Shtetet e Bashkuara një nga videot e përgatitura për fushatën kundër dezinformimit. Një milion prej tyre e panë atë për të paktën 30 sekonda.

Objektivi i fushatës është që të krijojë imunitet ndaj keqinformimit kundër refugjatëve, në partneritet me organizatat joqeveritare lokale, verifikuesit e fakteve, akademikët dhe ekspertët e dezinformimit.

Përhapja e informacionit manipulues dhe të rremë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë përmes rrjeteve të mediave sociale ka bërë që qeveri të ndryshme të bëjnë përpjekje për ligje të reja për të frenuar fushatat e dezinformimit.

“Ne e kemi ideuar si një eksperiment pilot, kështu që nuk ka absolutisht asnjë arsye që kjo qasje të mos shtrihet në vende të tjera,” tha në një intervistë Beth Goldberg, shefe e kërkimeve në Jigsaw.

“Polonia u zgjodh sepse ka numrin më të madh të refugjatëve ukrainas,” tha ajo, duke shtuar se Republika Çeke dhe Sllovakia do të ishin tregues të dobishëm për pjesën tjetër të Evropës. Fushata do të zgjasë një muaj.

Artikulli paraprakPASDITE I GJITHË VENDI DO TË PËRFSHIHET NGA RESHJE SHIU, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërBASHKIA E VORËS DHE KAVAJËS, TË PARAT QË QEVERIA BËHET GATI T’I MARRË NË ADMINISTRIM