Kompania amerikane e teknologjisë Google u gjobit me 500 milionë euro në Francë për një mosmarrëveshje me botuesit francez të gazetave që duan që kompania të paguajë për përdorimin e lajmeve të tyre.
Agjencia franceze për mbrojtjen e konkurrencës njoftoi se Google kërcënohet me 900 mijë euro shtesë në gjobë në ditë nëse gjigandi i teknologjisë në afat prej dy muajsh nuk bën propozime se si të dëmshpërblehen prodhuesit e lajmeve.
Një filial i Google-s në Francë tha se është shumë i zhgënjyer me vendimin dhe se gjoba “nuk pasqyron përpjekjet e bëra ose realitetin e përdorimit të lajmeve në platformën tonë”.
Kompania tha se po negocionte një zgjidhje dhe ishte në prag të arritjes së një marrëveshjeje me disa botues të medias.