Ky është Ali Salihi, banor në fshatin Goricë në njësinë Ana e Malit. Vitet e fundit, të ardhurat e vetme I ka siguruar nga puna si fermer, pasi trashëgon më shumë se 13 hektarë tokë të cilën vit pas viti e mbjellë me jonxhë dhe asull për bagëtitë. Si shkak I përmbytjeve, uji ka rrethuar shtëpinë e tij ndërsa një pjesë e prodhimit tashmë ka shkuar dëm. Për fermerin këto tre javë kanë qenë një sfidë e vërtetë.
Alia ka gjashtë krerë lopë, bazën ushqimore të së cilës nuk ka mundur ta sigurojë gjatë këtyre ditëve.
Përveç problemeve nga përmbytjet, fermeri tregon se gjatë kësaj periudhe po kalon një situatë të vështirë edhe në familje pasi bashkëshortja e tij I është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale.
Banorët e fshatit Goricë në Anën e Malit jetojnë nga të ardhurat e fituara në bujqësi dhe blegtori. Gjatë këtyre tre javëve ku tokat e mbjella me jonxhë për bagëtitë janë nën pushtetin e ujit, nevoja për furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë është imediate.