Persona të armatosur grabitën një bankë mëngjesin e sotëm në Shtimë të Kosovës.
Policia e Kosovës bën me dije se grabitja ndodhi rreth orës 08:15 minuta.
“Në rrugën “Tahir Sinani” ka ndodhur një rast grabitje me armë kur në lokalet e bankës kanë hyrë katër persona të armatosur me armë të gjata dhe nën kërcënimin e armës nga punëtorja kanë kërkuar që t’i dorëzojë paratë nga arka”.
Me këtë rast ka pasur edhe shkrepje arme në ajër nga ana e një të dyshuari por nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia njofton se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet dhe policia gjatë ndjekjes të të dyshuarve ka pasur gjuajtje me armë nga ana e të dyshuarve në drejtim të automjetit të policisë,por nuk ka pasur të lënduar.
Policia bën të ditur se janë duke u marrë të gjitha veprimet policore për identifikimin e personave të dyshuar dhe arrestimin e tyre. Nuk dihet ende shuma e parave të grabitura.
Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) në një reagim të saj kërkoi vendosjen sa më parë para ligjit të autorëve.
“Grupet e tilla kriminale, të cilat synojnë të dëmtojnë bizneset e Kosovës, e në veçanti bankat e që rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, duhet të identifikohen sa më parë dhe të njëjtit të marrin dënimin e merituar.
Shoqata e Bankave të Kosovës, me qëllim të ngritjes së sigurisë në sektorin bankar, në muajin Shkurt të këtij viti, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe Bankën Qendrore të Kosovës, me qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar në mënyrë që bankat, personeli i tyre dhe qytetarët të kenë një ambient sa më të sigurt për zhvillimin e aktivitetit të tyre”, thuhet në reagim