Një banesë në Kuçovë, ku jetojnë një çift të moshuarish, ka rënë pre e një grabitje orët e para të mëngjesit. Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga policia lokale, gjatë natës, dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën private të M.K. nga një dritare.
Nën kërcënimin e thikës, ata kanë marrë një shumë monetare, që sipas kallëzimit në komisariat të M.K., janë rreth 30.000 lekë (të reja). I moshuari ka thënë në dëshminë e tij se janë kanë kërcënuar me jetë për ti dhënë paratë që kishte në banesë.
Burime thanë se deri më tani, policia ka shoqëruar 6 persona në ambientet e komisariatit për tu pyetur lidhur me ngjarjen. Po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, njofton zyrtarisht Policia.