Pronari i servisit ku dyshohet se është modifikuar furgoni i përdorur nga grabitësit e miliona eurove në Rinas, ka thënë  se objektin e ka dhënë me qira prej dy vitesh.

Ai mohoi të kishte dijeni në lidhje me furgonin me mbishkrimin hetimi tatimor që u përdor në ngjarjen e 9 prillit në aeroport. Ndërkohë policia gjatë kontrolleve ka gjetur prova të rëndësishme në një vilë pranë servisit e cila mendohet se ka qenë baza e grupit që kreu grabitjen në Rinas.

Pika e riparimit të automjeteve ndodhet në një rrugë dytësore që lidhet me qendrën e Elbasanit. Modifikimi i furgonit që përdorën autorët e grabitjes në Rinas, është bërë në një ambient të hapur e të dukshëm nga rruga, ku lëvizjet e qytetarëve janë të shumtë.

Pronari i objektit të dhënë me qira tha  se biznesi shfrytëzohej nga persona të tjerë prej dy vitesh, kundrejt pagesës mujore. Ai tha se nuk ka lidhje apo dijeni me modifikimet e furgonit të përdorur në grabitjen e Rinasit.

Në zonën pranë servisit ndodhet dhe banesa që dyshohet se ka shërbyer si baza e grupit, nga të cilët 4 prej tyre tashmë janë arrestuar. Gjatë kontrollit në këtë vilë, që dyshohet se i përket Saimir Çelës, policia tha se hetuesit gjetën pajisje elektronike dhe prova të tjera që do të ndihmojnë më tej zbardhjen e ngjarjes.

Pika e riparimit të mjeteve por edhe banesa private monitoroheshin me kamera sigurie, pamjet e të cilave kanë ndihmuar hetuesit për të zbardhur ngjarjen me itinerarin e lëvizjes së furgonit të modifikuar.

Edhe pse Policia nuk ka dhënë detaje konkrete për rolin e katër të arrestuarve, akuza e ngritur ndaj tyre për “Vrasje e Punonjësve të Policisë, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, duket se lidhet me shkëmbimin e zjarrit që mes policisë dhe grabitësve jashtë aeroportit të Rinasit më 9 prill.

Artikulli paraprakKRIMI NË FAMILJE TRONDIT PRISHTINËN, TRE TË VRARË ME ARMË ZJARRI
Artikulli tjetër25-VJEÇARJA VDES NJË ORË PASI SJELL NË JETË FËMIJËN E PARË