Fillimi i tranzicionit e gjeti Shqipërinë në momentin më të mirë demografik në historinë e saj.

Në vitin 1991, në vend u shënuan 82 mijë lindje dhe 17.7 mijë humbje jete. Shtesa natyrore e popullsisë (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve në një vit) në vitin në fjalë ishte gati 64 mijë persona. Tendenca kishte ardhur në rritje të vazhdueshme që nga vitet 1960.

Pas vitit 1991, shtesa natyrore e popullsisë filloi të tkurrej me shpejtësi. Arsyeja kryesore ishte emigracioni, që tkurri gradualisht popullsisë, e kombinuar me ndryshimin e stilit të jetesës, si martesat në moshë më të vonë, bërjen e më pak fëmijëve, apo dhe shtimin e divorceve.

Institucionet ndërkombëtare përllogarisin se rreth 40% e popullsisë së vendit jeton aktualisht jashtë Shqipërisë, kryesisht në Itali, Greqi, shtete të tjera të Europës, SHBA etj. Pas zbehjes së ciklit të ri të parë të emigracionit të fillim viteve ’90, tendenca u rigjallërua sërish pas vitit 2016, e konstatuar nga shtimi i numrit të kërkesave për azil. Në valën e dytë të emigracionit po largohen kryesisht të rinjtë, por edhe familjet.

Sipas INSTAT, në vitin 1990 kishte rreth 29 mijë martesa, ndërsa në vitin 2019, numri i tyre ishte rreth 22 mijë. Në të njëjtën periudhë, divorcet u rritën nga 2600 në gati 6000. Numri i divorceve për 100 martesa arriti rekordin prej 26.1 në 2019-n, me një të pestën e çifteve që ndahen (në 2020-n ranë si martesat ashtu dhe divorcet, por sjellja nuk ishte normale për shkak të kufizimeve të ndikuara nga pandemia).

Rënia e numrit të lindjeve vit pas viti, ka përkeqësuar cilësinë e zëvendësimit të brezave. Indeksi sintetik i fekonditetit (ISF),i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese shënon 1,34 fëmijë për vitin 2020, nga 1,36 që ishte me 2019, një nga normat më të ulëta në Europë. Në vitin 2001, sipas INSTAT, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970 ishte mbi 5.

Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, mosha mediane e popullsisë (që ndan gjysmën më të re me atë më të vjetër) u rrit në 37.6 vjeç në vitin 2021, nga 32.6 vjeç në 2011, ndërsa para viteve ’90 ishte rreth 27 vjeç. Gjithësi, edhe në këto niveli, Shqipëria vijon të mbetet një popullsi me moshë të re (mediana në Europë është mbi 40 vjeç).

Covid dha goditjen përfundimtare, për herë të parë në histori shtesa natyrore ishte negative në 2021

Plakja e popullsisë po sillte një rritje graduale të vdekjeve në vend, ndërsa lindjet po tkurreshin, duke e ngushtuar shtesën natyrore të popullsisë, që po shkonte gradualisht drejt zeros.

Covid-19 vetëm sa e përshpejtoi këtë tendencë. Pas fillimit të pandemisë në mars 2020, pasojat ishin të rënda në shëndetin e popullatës dhe vdekshmëria u rrit me shpejtësi.

Për gjithë vitin 2021, në vend u shënuan gjithsej rreth 30.6 mijë (30,580) humbje jete, duke shënuar nivelin më të lartë rekord të arritur ndonjëherë në historinë e vendit. Ky është viti i dytë radhazi, kur fatalitetet në vend po rezultojnë të larta. Në vitin e parë të pandemisë, në 2020-n u regjistruan në total 27.6 mijë fatalitete, nga 21.8 mijë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2019.

Në krahasim me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, vdekjet në vitin 2021 janë rritur me 40%. Edhe në 2020-n, vdekshmëria shtesë në raport me mesataren 2016-2019 u rrit me rreth 26%.

Në të kundërt, pandemia ndikoi negativisht në planifikimet familjare dhe rritjen e aborteve spontane (të ndikuara nga pasojat e pandemisë në shëndetit e femrave shtatzënë), duke sjellë rënie të lindshmërisë.

Në 2020-n kishte vetëm 470 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa në 2021, për herë të parë në histori u shënuan gati 3.3 mijë vdekje më shumë sesa lindje.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, popullsia rezidente e Shqipërisë në fillim të 2021-s ishte rreth 2.83 milionë persona, por do të jetë censi i radhës, që do të tregojnë shifrat e vërteta të personave që kanë mbetur në Shqipëri./Monitor

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

 

Artikulli paraprakSHTATË ZAKONET E VENDEVE, QË E KANË PËRBALLUAR MË MIRË PANDEMINË E COVID-19
Artikulli tjetërSHQIPËRIA PËRMIRËSOHET NË INDEKSIN E LIRISË EKONOMIKE, DOBËT INTEGRITETI I QEVERISË