Fotografitë nga grumbullimet e fundvitit, si me shoqërinë, ashtu dhe me kolektivin e punës ishin mbizotëruese në rrjetet sociale në javën e fundit të 2021, teksa rregullat për distancimin social apo mbajtjen e maskës ishin pothuajse jo ekzistente në vend, në ambiente publike e transport urban.
Tashmë këto festime e grumbullime ua kanë lënë vendin vizitave në klinika për të bërë testin e Covid, apo te mjeku për t’u kuruar për pasojat.
“Pas një periudhe shumë të qetë, për një ditë u gdhi e gjithë Tirana e sëmurë”, thotë Petrit Malaj, mjek pneumolog, që indikatorin e parë të përhapjes së sëmundjes ka numrin e telefonatave që merr çdo ditë nga pacientët.
Edhe të dhënat e klinikave private tregojnë se nga tendenca e ngadalësimit të përhapjes të infeksionit Covid-19 në muajin dhjetor, pas festimeve të Krishtlindjeve në vend ka nisur shtimi i rasteve të reja pozitive. Pozitiviteti i rasteve të reja nuk ka ndalur rritjen edhe në ditët e para të muajit janar.
Sipas të dhënave të rrjetit laboratorik “Intermedica” për “Monitor”, nga një mesatare prej 87 rastesh të reja u zbuluan çdo ditë midis 27 dhe 31 dhjetorit, rreth 72% më shumë se mesatarja e periudhës 21-25 dhjetor.
Tendenca rritëse e pozitivitetit të testimeve të kryera ka nisur nga data 27 dhjetor 2021, pas festimeve të Krishtlindjeve. Nga 1,113 testime (PCR+rapid test), rreth 9% e tyre ishin pozitive. Rritja e rasteve pozitive vijoi edhe ditën tjetër ku nga 1,224 testime rreth 10% e tyre rezultuan pozitive.
Për muajin e kaluar, rekordi i rasteve pozitive me Covid-19 u regjistrua më 30 dhjetor. Nga 826 testime të kryera rreth 14,5% e tyre rezultonin pozitive. Edhe këto ditë të para të muajit janar, rastet pozitive rezultojnë me rritje. Krahasuar me muajin dhjetor, rritje kanë shënuar edhe testimet, sidomos testimet e shpejta.
Për këtë vit, shtimi i rasteve pozitive nis që nga janari 2 janari ku nga 1,642 teste të kryera 10% e tyre ishin pozitive. Rastet pozitive kanë qenë me rritje edhe në ditët në vijim. Më 3 janar janë kryer 1,904 testime dhe 14,5% e tyre ishin pozitive. Rekordi i rasteve pozitive është shënuar në 4 janar, ku nga 1,978 testime 15,7% e tyre ishin pozitive.
Mjekët shpjeguan më herët se arsyet kryesore të rritjes të infektimeve ishin heqja e kufizimeve të lëvizjeve në festat e fundvitit, ardhja e emigrantëve, prania e variantit Omicron që ka intensitet të lartë të përhapjes dhe ulja e mbrojtjes nga të dyja dozat e vaksinave.
Administratori i rrjeteve laboratorike, mjeku anestezist Vasil Llajo tha se kurba e infeksionit parashikohet të shënojë rënie në fillim të muajit shkurt, pasi të ketë përfunduar efekti i festave të fundvitit për shtimin e rasteve pozitive.
Nga rrjeti i laboratorëve “Intermedica” (në Tiranë janë 13 pika) për muajin janar 2021 janë kryer 10,178 tamponë dhe 6% ishin pozitive. Në muajin shkurt u kryen 12,654 dhe 11.8% dolën pozitivë. Për periudhën gusht-dhjetor, nga totali i testimeve të kryera, pozitive me Covid-19 rezultuan 9% e tyre./Monitor