Granatë dore në Mitrovicë të veriut, në afërsi të objektit të qeverisë
Të mërkurën, rreth orës 20, në Mitrovicë të veriut, Policia e Kosovës ka identifikuar një mjet eksplodues të pashpërthyernë afërsi të objektit të Qeverisë së Kosovës, inaugurimi i së cilës është bërë të mërkurën. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës, Besim Hoti. “Shumë pranë afër objektit, në disa metra afër, Policia e Kosovës ka identifikuar mjetin e pashpërthyer, granatë dore, të tipit M 75, që në zhargonin ushtarak njihet si granatë dore defanzive. Për shkaqe të panjohura, fatmirësisht, ajo nuk ka shpërthyer. Njësitë e specializuara për identifikim të mjeteve shpërthyese, kanë qenë në vend të ngjarjes dhe në mënyrë të kontrolluar e kanë bërë shpërthimin e kësaj granate të dorës”, ka thënë Hoti. Sipas tij, policia nuk ka regjistruar pasoja si rezultat i shpërthimit të kontrolluar, nga i cili, siç thotë ai, nuk ka pasur dëme materiale dhe as të lënduar. Hoti, ka theksuar se hetuesit policor po kryejnë të gjitha procedurat intensive hetimore, në kërkim të kryesit apo kryesve të kësaj vepre, që deri më tash ende nuk janë identifikuar. Dje në Mitrovicë të veriut, ka qëndruar ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, e cila ka vizituar objektin e Qeverisë së Kosovës. Hoti, thotë se policia nuk e përjashton mundësinë që motivi i vendosjes së mjetit shpërthyes në afërsi të këtij objekti, të jetë vizita e ministres Tahiri.