Gratë e PD: Më shumë përfaqësim në politikë Më shumë rol dhe fuqi për gruan.

Ky është mesazhi i përcjellë në 25-vjetorin e Lidhjes Demokratike të Gruas nga Albana Vokshi, sipas së cilës gratë shqiptare sot kërcënohen kryesisht nga varfëria e kërkesat për azil. “Të gjitha statistikat ndërkombëtare, vërtetojnë që më shumë gra në vendimmarje, aq më pak kriminalitet, aq më pak korrupsion. Nëse do të kishte më shumë gra, nuk do kishim të tjerë deputetë të maxhorancës me precedentë penalë e nuk do kishim kryetarë bashkie të përzgjedhur nga Kryeministri, të dënuar për përdhunim, narkotrafik apo krim të organizuar”, deklaroi deputetja e PD, Albana Vokshi. Ndryshimi, sipas Lidhjes Demokratike të Gruas duhet të nisë nga përfshirja në debatin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Zgjedhjet 2017 nuk kanë asnjë garanci zgjedhore. Mazhoranca ka menduar për një fenomen dibror të multiplikuar në zgjedhjet e ardhshme”, shtoi Vokshi. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi sqaroi përpara grave të pranishme në aktivitet, debatin e para pak javëve me kryeministrin Rama. “Pengesat janë të shumta e vijnë si rrjedhojë e dhunës për shkak të politikës. Shoh një mosdëshirë të pushtetit për të bashkëpunuar. Nuk kam patur asnjë çështje personale me kryeministrin, por kam kërkuar thjesht të drejtën qytetare për të patur shërbime”, deklaroi kryebashkiakja e Shkodrës. Drejtori për Shqipërinë I Fondacionit Konrad Adenauer prezantoi shembullin gjerman për rolin e grave në politikë. “Shihni Gjermaninë, përqindja e grave në politikë është diku nga 20-40 përqind, ndërsa përfshirja e grave në Parlament është 36 përqind. Janë të përfaqësuara në një nivel të lartë. Shembulli tipik i suksesit është kancelarja Merkel. E di që Shqipëria është në një rrugë të vështirë, por është e angazhuar për një pjesëmarrje më të gjerë të grave në politike”, u shpreh Walter Gross, drejtor për Shqipërinë e “Konrad Adenauer”.

Artikulli paraprakKINA DHURON 10 ESKAVATORE PER SHQIPERINE.NDIHME KUNDER PERMBYTJEVE
Artikulli tjetërARRESTOHEN 2 TATIMORE PER KORRUPSION