Shqiptarët e viteve 1950 jetonin mesatarisht vetëm 54.4 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa që nga ajo kohë deri në vitin 2020, jetëgjatësia u rrit me 42%. Një shqiptar në vitin 2020 jetoi mesatarisht 77.3 vite me një rënie nga viti 2018 me rreth 3,3 muaj si rrjedhojë e rritjes së vdekjeve në moshë të re nga pandemia e koronavirusit. Të dhënat historike mbi jetëgjatësinë në 70 vitet e fundit, tregojnë nëse përmirësimi më i madh ndodhi në dy dekadat e 1950-1970, ky tregues u rrit me 18 vite ose 33%. Nga 54.4 vjeç më 1950 jetëgjatësia mesatare në vitin 1970 arriti në 72.3 vite. Që nga ajo kohë treguesi i jetëgjatësisë në vendin tonë është rritur me ritme të ulëta. Në vitin e parë të tranzicionit jetëgjatësia në vend ishte 75.4 vite dhe në vitin 2020 llogaritet në 77.3 vite me një përmirësim me rritje rreth dy vite.

Në vitin 2020, jetëgjatësia e pritur në lindje në Shqipëri ishte 75,2 vjet për burrat dhe 79,6 vjet për gratë. Kjo do të thotë që gratë pritet të jetojnë afro 4 vjet më shumë se burrat. Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit. Në 1 Janar 2021 popullsia e Shqipërisë rezulton 2,83 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 është ulur me 2,7 %. Prirja në rënie vazhdon të jetë e pranishme nga vitet e mëparshme. Ky mund të jetë problem sepse mund të ndikojë në rritjen ekonomike, e cila varet nga niveli i konsumit apo investimet. Nëse popullsia zvogëlohet, atëherë do të ketë më pak kërkesa për konsum dhe investime që mund të reflektohen si një rënie ekonomike. Gjatë periudhës 2011-2020, numri i lindjeve në vit është ulur ndjeshëm, nga rreth 34 mijë në 2011, në rreth 28 mijë në 2020, ndërsa numri i vdekjeve në vit ka mbetur midis 20 mijë dhe 22 mijë për periudhën 2011-2019, por ka shënuar rritje në rreth 28 mijë vdekje në 2020 i ndikuar nga efektet e pandemisë Covid-19.

Rënia e lindshmërisë reflektohet në numrin e popullsisë në dekadat e ardhshme dhe të ketë ndikim, jo vetëm në uljen e popullsisë, por më shumë në efektet që rrjedhin nga ato faktorë, të cilët mund të jenë socialë ose ekonomikë, siç është ulja e fuqisë blerëse, rritja e normës së varësisë moshore, duke vënë në rrezik skemën e pensioneve, etj.

 

Artikulli paraprakAKUZON DA SILVA: DIÇKA NUK SHKON TE VLLAZNIA, TRAJNERI NUK MUND TË…
Artikulli tjetërSHKODËR, RRITET NUMRI I MAKINAVE JO FUNKSIONALE