TSIPRASl: GREKËT BËNË NJË ZGJEDHJE TË GUXIMSHME. “Grekët bënë një zgjedhje të guximshme”. Me këto fjalë iu drejtua kryeministri grek Aleksis Tsipras mijëra mbështetësve të tij që i thanë Jo reformave të propozuara nga ndërkombëtarët. “Të gjithë ne së bashku, kthyem një faqe të ndritur në historinë moderne evropiane. Ne kemi provuar se edhe në rrethanat më të vështira, demokracia nuk mund të shantazhohet.
Keni bërë një zgjedhje shumë të guximshme. Megjithatë unë jam plotësisht i vetëdijshëm se rezultati i këtij referendum është një mandat për të forcuar pozitën tonë në negociata për të kërkuar një zgjidhje praktike” . Kryeministri grek deklaroi se edhe FMN në raportin e fundit pranon se Greqia nuk mund të shlyejë borxhin e saj, ndërsa bëri të qartë se do ti kërkojë presidentit të Greqisë të thërrasë një takim të liderëve të partive politike për t’i informuar ata mbi situatën. Fjalimi i tij para mijëra mbështetësve u brohorit disa herë, ndërsa festa në rrugët e Athinës vijoi deri në orët e para të ditës së sotme. Rezultati përfundimtar në referendum ishte 61.3% “Jo” masave të Trojkës , kundrejt 38.7% që kanë votuar “Po”. Ndërsa Pjesëmarrja në votim ishte 62.5%. Reagimet janë të shumta dhe disa prej tyre mjaft të ashpra. Jeroen Dijsselbloem, tha se rezultati i referendumit ishte për të ardhur keq për të ardhmen e Greqisë. Ndërkohë, Martin Schulz, president i Parlamentit Evropian, paralajmëroi se Evropa po hynte “në një kohë shumë të vështirë dhe madje edhe dramatike” nëse qeveria greke nuk do të bëjë propozime “të rëndësishme” në orët e ardhshme. Shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, dekalroi se referendumi çon Greqinë dhe Europën në “ditë të dhimbshme”. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker do të ketë një telekonferencë me zyrtarët kryesorë të BE-së dhe BQE paraditen e sotme. Për Gjermaninë rinegociimi me Greqinë është “i vështirë të imagjinohet”. Por Belgjika dhe Italia reaguan më butë. Sipas Ministrit belg të Financave “dera mbetet e hapur për të rifilluar bisedimet brenda disa orësh”. Rezultati është mirëpritur nga euroskeptikët në Parlamentin Europian. “Projekti i BE-së tani është duke vdekur. Është fantastike të shohësh guximin e popullit grek”- shkruan Nigel Farage. Ndërkaq Presidenti francez Francois Hollande dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë planifikuar të takohen në Paris pasditen e sotme ndërsa të martën është htirrur Samiti i Eurozonës.