57% E GREKËVE DO TË VOTOJNË “JO” PJESA TJETËR NË DYSHIM. Ndërsa ditët kalojnë, duket se referendumi i 5 korrikut po e ndan më dysh shoqërinë greke. Qeveria greke ka publikuar edhe një faqe në internet dedikuar tërësisht referendumit, duke lënë edhe numërimin mbrapsht sesa kohë u ka ngelur për të votuar. Një sondazh vendas tregon se afërsisht 57% e grekëve do të votojë “Jo” ndaj kushteve të kreditoreve, nga ana tjetër 30% e tyre janë të gatshëm të pranojnë reformat e bashkimit europian, duke lënë 13% të popullsisë si votues gri, të pavendosur përballë tablosë që u paraqitet.
Në kontrast me sondazhin e opinionit të zhvilluar nga një kompani greke, një tjetër sondazh i bërë nga francezët këtë herë, jep një tjetër rezultat. Ky i fundit flet për 47% të popullsisë greke që është ‘pro’ Europës dhe 37% e tyre që mbështesin “Jo”-në e Cipras. Ndërkohë, jashtë bankave vazhdojnë radhët e gjata të pensionistëve, pasi ndahet për të dytën ditë një pjesë e pensioneve të tyre. Burime qeveritare, ndërkohë, deklarojnë se Cipras ndodhet nën presionin më të madh, që i është bërë ndonjëherë një qeverie në Europë, si nga faktorët e brendshëm, ashtu dhe nga të jashtmit. Shtypi grek është mbushur dje me publikime tepër shqetësuese, që bënin fjalë për reduktim të depozitave të mbetura në bankat greke, që mund të shkojnë nga 27 deri në 55% të shumave të parave dhe kjo ka shkaktuar një frikë dhe reagim të madh të të gjithë qytetarëve.