Tre të dënuar, dy shqiptarë dhe një gjeorgjian janë arratisur nga qelia në mesnatë në Athinë. Njëri nga shqiptarët akuzohet për vrasje, ndërsa shqiptari tjetër dhe gjeorgjiani akuzohen për trafik droge. Mediat greke shkruajnë se ata arritën që të presin hekurat e qelisë dhe të zbresin nga kati i dytë duke përdorur çarçafët. Për njërin nga të arratisurit zgjati shumë pak liria, gjeorgjiani i dënuar për trafik droge u arrestua nga forcat e policisë vetëm pas disa minutash, por dy shqiptarët kanë mundur që të largohen me shpejtësi.
Gjykata e Athinës kishte dhënë dënimet për shqiptarët dhe gjeorgjianin në datë 3 janar, ndërsa sot, sipas medieve greke pritej që të transferoheshin në burg nga qelia e gjykatës. Policia greke është vendosur e gjitha në lëvizje për të arrestuar dy shqiptarët që arritën që të shpëtonin duke u larguar.